Deshi seks, gjeti plumba

AKTUALITET


Kavaja është tronditur pas mesnatës nga një ngjarje e rëndë, e cila mund të kishte pasoja edhe më të mëdha, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër. Përndjekja ndaj një gruaje të martuar me qëllim për të kryer marrëdhënie seksuale me të mësohet se ka qenë motivi i këtij krimi të rëndë, ku nga të shtënat ka mbetur i plagosur një punonjës i sigurisë së burgut, i cili me armën e punës ka vrarë agresorin, që sipas të dhënave të policisë kishte hyrë nga dritarja e shtëpisë që të zinte në flagrancë gruan e martuar, e cila e ka bashkëshortin në burg në Gjermani. Personazhet e këtij krimi të rëndë, të cilët i përngjajnë skenarit të një filmi aksion, rezultojnë të gjithë të njohur për policinë, ndërsa në pranga kanë përfunduar polici i burgjeve dhe vëllai i tij.

Sipas të dhënave nga hetimi i policisë, Dritan Haxholli ishte personi që përndiqte Marsida Qatjan. Ai ka shkuar pas mesnatës së të mërkurës në shtëpinë e saj, me qëllim që ta kapte vetëm në shtëpi dhe të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Por, Qatja, e cila ka tre fëmijë të mitur, kishte marrë tre meshkuj në shtëpi, ndër të cilët edhe Bledar Toçin, i cili mban detyrën e Shefit të Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit. Haxholli, i cili është një emër i njohur për policinë, pasi më herët ka qenë i dënuar për krime kundër personit dhe shpërndarje narkotikësh, ka hyrë nga dritarja e dhomës së fëmijëve dhe ka shkuar në sallon, ku ndodhej Qata me tre meshkujt, të cilët po konsumonin pica dhe birra. Aty u has me rezistencën e miqve të saj, që ndodheshin për ta ndihmuar në lidhje me përndjekjen e 41-vjeçarit. Ai ka qëlluar me 17 plumba ndaj gruas të shoqëruar me tre meshkuj, ndërsa në dhomën e gjumit ndodheshin dhe tre fëmijët e saj të mitur. Në ato momente, polici i burgjeve Bledar Toçi ka reaguar me armën e shërbimit, duke e plagosur Haxhollin. Nga kjo përplasje, Haxholli mbeti i vrarë me armë zjarri, ndërsa u plagos polici Bledar Toçi, me një plumb në qafë.


Policia dyshon se Marsida Qajta ka pasur lidhje më herët me Haxhollin, megjithëse kjo nuk është pranuar në deklaratën e saj, e cila në polici është shprehur se ai e përndiqte dhe kërkonte seks prej saj. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan një armë automatike model 56 me një krehër me 28 fishekë, 16 gëzhoja të kalibrit 9 mm, copa të ndryshme metalike dhe predhash, një armë zjarri e tipit Glock dhe një gëzhojë model 56 kalibri 7.62 mm. Ndërkohë, policia arrestoi policin Toçi dhe vëllain e tij, Bernard Toçi, pasi gjatë kontrollit në banesën e të dyve, u gjetën 7 doza kokainë.

Ngjarja mund të kishte përmasa edhe më të frikshme sesa kaq, pasi në banesën ku ndodhi ‘lufta’ ishin dhe 3 fëmijët e mitur të 30-vjeçares, përkatësisht të moshave 10, 9 dhe 2 vjeç. Por fatmirësisht fëmijët nuk kanë mbetur të lënduar, pasi kanë qenë në gjumë kur na ndodhur ngjarja. Marsida Qatja ishte e martuar me një person, i cili ndodhej në burg në Gjermani, ndërsa kishte krijuar lidhje të reja në Kavajë. “BalkanWeb” ka mësuar emrin e personit, me të cilin Qatja rezulton të jetë e martuar, dhe që është shtetasi Indrit Hyseni, i cili ndodhet në një burg të Gjermanisë, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Po ashtu, Mardisa Qatja është nën hetim nga prokuroria për mashtrim. Sipas News 24, 30-vjeçarja, nëna e 3 fëmijëve, akuzohet se shiste bileta fiktive në agjencinë turistike që zotëronte e motra. Sipas hetimeve Marsida ka përfituar dhjetëra miliona lekë nga biletat, duke mashtruar shumë qytetarë. Marsida ushtronte dhe profesionin e parukieres.

Pas krimit të rëndë, policia i ka shoqëruar të gjithë, ndërsa fëmijët janë marrë nga të afërmit e familjes. Në shtëpi nuk ndodhet askush, dera është e hapur, nuk ka as policë, asnjë shenjë të dhjetëra njerëzve që kanë hyrë e kanë dalë nga apartamenti tip ‘duplex’ në lagjen numër 2 të qytetit të Kavajës. Por shenjat e asaj çfarë ka ndodhur janë më se të dukshme. Sipas News 24, në tavolinë ka ende ushqime të lëna përgjysmë pasi 41-vjeçari Dritan Haxholli hyri me kallashnikov dhe qëlloi me breshëri. Makarona, mish, kuti picash, shishe birre e në dysheme një këpucë e vogël fëmije. Pellgu i gjakut i dukshëm në mes të vendit, shenja dhune në mure e shenja plumbash. Në katin e sipërm duket se policia e ka kthyer përmbys shtëpinë e 30-vjeçares ndërsa i frikshëm është fakti se 41-vjeçari Dritan Haxholli ka hyrë me kallashnikov nga dhoma e fëmijëve të mitur pasi duket grila e shqyer e dritares së ballkonit.




Skip to toolbar