Lezha është gdhirë me një ngjarje të rëndë, ku ka mbeturi vrarë kryeplaku i fshatit Mërqi, Gjin Marku.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës, pikërisht në zonën ku ai ushtronte këtë detyrë. Sipas policisë së Lezhës, Gjin Marku është vrarë nga T.Gj nga fshati Kashnjet, i cili ishte mik i familjes së viktimës.
Shkak për këtë vrasje dyshohet se është bërë një konflikt për motive pronësie mes viktimës, Gjin Marku dhe autorit Tonin Gjini, nga fshati Kashnjet i Lezhës.
Uniformat blu shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndërsa pas identifikimit të autorit të vrasjes efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë mundur ta arrestojnë disa orë pas krimit.
Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanat që çuan në këtë krim të rëndë që tronditi qytetin e Lezhës mëngjesin e së mërkurës.
Kjo është vrasja e dytë në muajin qershor që ndodh për motive pronësie. Dhjetë ditë më parë, një tjetër konflikt prone i mori jetën administratorit të Kotës në Selenicë, Argjil Gjoka.
Ai mësohet se ndërhyri në një konflikt mes dy personave në fshatin Pet që sipas burimeve po konfliktoheshin për çështje prone. Por konflikti ka përshkallëzuar dhe një prej tyre, paraprakisht i identifikuar si Mersin Bejtja ka qëlluar me armë zjarri. Për pasojë administratori Gjoka ka marrë një plumb në gjoks, dhe pavarësisht se u dërgua në spital, ai ndërroi jetë nga plaga e marrë.