Janë të pabanueshme, emergjencat në Lezhë: Jo të gjithë pallatet do shemben

AKTUALITET


Tërmeti shkaktoi pasoja të mëdha në disa zona të vendit. Një nga më të prekurit është dhe qarku i Lezhës. Përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj tha të dielën se vijon puna për inspektimin e godinave të prekura nga tërmeti. Ai u bëri thirrje qytetarëve, që sipas tij janë duke boshatisur apartamentetet duke marrë mobiljet, që të mos nxitohen. Sipas Xhafajt, jo të gjithë pallatet që janë shpallur të pabanueshëm do të shemben.

“Jemi këtu sot për të raportuar edhe njëherë ecurinë e ditës nga Qendra Operacionale e Shtabit të Emergjencave Civile në qarkun e Lezhës. Së pari, duam të tërheqim vëmendjen e të gjithë qytetarëve, të cilët janë duke lëvizur të gjithë pajisjet e tyre apo orenditë nga pallatet. Jo të gjithë pallatet të cilët janë përcaktuar si të pabanueshëm, do të shemben”, tha ai.


Këto pallate do t`i nënshtrohen një procesi të dytë rivlerësimi dhe për të vendosur më pas edhe ndërhyrjen për rikonstruksion. Ai tha se ka raste që do të ndërhyet edhe strukturalisht.

“Pra, do të ketë një proces të dytë rivlerësimi, gjatë të cilit do të vlerësohet edhe ndërhyrja e mundshme. Ka raste ku do të ndërhyhet strukturalisht, për gjithë të tjerat do të ketë një vendim specifik nga këshillat bashkiakë të të tre bashkive për të specifikuar atë që do të ndodhë. Dhe pastaj do të mundësohet edhe afrimi me këto godina i qytetarëve, të shoqëruar nga Policia dhe instancat e tjera ligjore dhe shtetërore për të mundësuar tërheqjen e orendive dhe mjeteve të tyre”.

Xhafaj shtoi se procesi i vlerësimit në terren vijon, ndërsa tha se Këshilli Bashkiak i Lezhës do të marri vendimin për dhënien e bonusit të qirave për të pastrehët.

“Sot ka vijuar vlerësimi dhe ricertifikimi i sigurisë së godinave masive në terren me 6 grupe nga Kosova. Nesër do të ketë një trajnim dhe një rishpërndarje të re të grupeve të vlerësimit nga të treja bashkitë në territor. Gjithashtu është marrë një vendim i Këshillit Bashkiak Lezhë për të vijuar me bonusin e qerave për qytetarët e Lezhës. Nesër do të ketë mbledhje të Këshillave Bashkiakë, si nga Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin ashtu dhe nga Këshilli Bashkiak i Mirditës për të marrë vendime në lidhje me këto”.

Në fund ai foli edhe për situatën e godinave publike. Etjen Xhafaj u shpreh se të dielën është evakuar një pjesë e spitalit të Laçit në drejtim të spitalit të Lezhës. Sipas tij, në këtë qytet është shtuar shërbimi ambulator ndërsa janë mbajtur hapur shërbimet e emergjencës.

“Gjithashtu, Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin do të shqyrtojë edhe njëherë situatën në lidhje me pallatet e dëmtuara. Sa u përket institucioneve publike dhe shërbimeve, sot është bërë evakuimi i një pjese të spitalit të Laçit, në bashkinë Kurbin, në drejtim të spitalit të Lezhës. Kemi reaguar menjëherë duke shtuar shërbimet ambulatore dhe gjithashtu duke mbajtur të hapur në qytetin e Laçit shërbimet e emergjencës. Është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin si me grupet e vlerësimit, ashtu edhe me ekipin tjetër të të gjithë ndihmës shtetërore dhe të Shtabit të Emergjencave Civile. Faleminderit!”, tha ndër të tjera Etjen Xhafaj.




Skip to toolbar