Liderët e BE, 6 orë bisedime. Asnjë vendim për Shqipërinë

POLITIKË


Liderët e vendeve të BE do të mblidhen gjatë ditës së premte për të arritur një marrëveshje dhe për të marrë një vendim unanim në lidhje me çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë. Portali euractiv.com ka ndjekur orë pas ore zhvillimet në samitin e krerëve të BE-së dhe shkruan se liderët kanë biseduar deri në orët e vona pas mesnatës dhe kanë diskutuar mbi 6 orë por ende nuk kanë arritur një marrëveshje mes tyre.

Kryeministri finlandez Antti Rinne tha pasi doli nga ndërtesa e Këshillit të Europës pas 6 orë e gjysmë bisedimesh se ende nuk ka një marrëveshje në lidhje me zgjerimin e BE dhe se bisedimet do të vijojnë të premten në mengjes.

Gjatë mbrëmjes së të enjtes liderët kanë biseduar mundësinë e shtyrjes së vendimit për negociatat për në samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në Maj të 2020.

Pas Gjermanisë, Italia është një tjetër shtet i fuqishëm që po lobon fort për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një diplomat ka thënë për euractiv se Italia nuk do të pranojë në asnjë mënyrë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, pra që për njërin shtet vendimi të jetë pozitiv dhe për tjetrin të jetë negativ.

Për italianët BE duhet të japë një sinjal të fortë dinamizmi dhe të ecin përpara me përgjigje pozitive si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut duke konsideruar momentin depresiv pas lamtumirës së Britanisë.

Franca, Holanda dhe Danimarka janë kundër këtij këndvështrimi, por diplomatët pohojnë se nëse Franca bindet, atëherë binden edhe Holanda dhe Danimarka.

Sipas qëndrimit italian nëse BE dëshiron të mbështesë zhvillimin dhe ecurinë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është më mirë për të që t’i mbajë pranë vetes.  Në të vërtetë, citon diplomati italian një gjë e ngjashme u bë me Turqinë në vitin 2005 kur vendet anëtare vendosën veton kundër saj, dhe “shikoni sesi shkuan gjërat me Turqinë…”, ka thënë ai./realstory.al



Skip to toolbar