Nga Jul Kasapi
Pothuajse dy dekada pasi trafikantët e parë shqiptarë u shfaqën në skenë, grupet kriminale shqiptare kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të rrjeteve të kokainës me shumicë dhe pakicë në Europë. Duke përdorur rrjetet e bandave në rrugë ata tregtojnë drogë në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë Francë dhe Gjermani. Në vitet e fundit, fuqia dhe ndikimi i tyre ka shkuar deri Amerikën e Jugut, në Ekuador, ku grupet shqiptare kanë lënë gjurmët e gjakut rreth qytetit port të Guayaquil.
Midis vendeve prodhuese të kokainës, Perusë dhe Kolumbisë, Ekuadori nuk ka mafia të drogës në vendlindje. Ajo ka banda, por atyre u mungon sofistikimi i nevojshëm për të operuar rrjetet e trafikimit shumëkombësh. Bandat megjithatë, kanë rezultuar të dobishme për trafikantët ndërkombëtarë – mes tyre dhe shqiptarët, që kërkojnë një pjesë të tortës.
Cili është roli i shqiptarëve në trafikun që ka pushtuar Europën? Vija e gjakut që ata lanë pas!
Diversifikimi i shtuar i furnizimit në burim ka çuar në më shumë dhunë, thotë Europol në raportin më të ri të publikuar mbi kokainën dhe tregtinë e saj në Europë.
Më e dhunshme, e larmishme dhe konkurruese: këto janë karakteristikat kryesore të tregtisë së kokainës ndërsa përgjatë viteve dinamika e re e tregut në Amerikën Latine, përfaqëson një kërcënim të qartë për sigurinë evropiane dhe globale.
Fragmentarizmi i peizazhit kriminal në vendet burimore ka krijuar mundësi të reja për rrjetet kriminale europiane për të marrë një furnizim të drejtpërdrejtë me kokainë, duke shmangur ndërmjetësit. Kjo konkurrencë e re në treg ka çuar në rritjen e furnizimit me kokainë dhe rrjedhimisht në më shumë dhunë, një tendencë e cila është hasur edhe mes grupeve shqiptare.
Lidhja serbe e trafikantëve shqiptarë
Monopolet e mëparshme dominuese në furnizimin me shumicë të kokainës në tregjet europiane janë sfiduar nga rrjete më të vogla të trafikimit. Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor, kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesit dhe kanë siguruar një vend të spikatur në furnizimin me shumicë të kokainës.
Organizatat e para kriminale në Ekuador u krijuan nga serbët të cilët kontrollojnë ende pjesën më të madhe të trafikut nga Amerika e Jugut. Mafia e Ballkanit udhëhiqet kryesisht nga 3 grupe kriminale.
I pari, “Grupi Amerika”, filloi në rrugët e Beogradit në vitet 1990. i specializuar në transportin e kokainës nga Ekuadori me lidhje të shumta në Kolumbi. Grupi udhëhiqej nga Mile Miljanić dhe zëvendësi i tij ishte Zoran Jakšić. Në korrik 2016, Jakšić u kap në Peru dhe u akuzua për trafik droge duke shënuar dhe fundin e grupit.
Klani tjetër është ‘Grupi i Sariç’, i udhëhequr nga serbi Darko Sariç. i konsideruar një nga baronët më të mëdhenj të drogës në Ballkan, në vitin 2018 u shpall fajtor për trafikimin e 5,7 tonë kokainë nga Ekuadori drejt Europës.
Grupi i tretë është ai i Sreten Joçiç, i njohur ndryshe dhe si Joça Amsterdam. E veçanta e Joça Amsterdam, është se që në vitin 1993 ai do të bashkëpunonte me shqiptarët kryesisht në trafikimin e qenieve njerëzore ndërsa më pas bashkëpunimi i tyre shkoi deri në Amerikën Latine për trafikimin e kokainës. i konsideruar si një ndër figurat më të shquara të mafies serbe, Joçiç u arrestua pas dy vrasjeve me pagesë atë të një gazetari si dhe kundërshtarit të tij në trafik.
Pikërisht Joçiç mendohet dhe si personi i cili krijoi kontaktet e para për bashkëpunëtorët e tij shqiptarë në Amerikën Latine. Pasi kishte vizituar Kolumbinë që në vitin 1996 Joçiç bashkëpunonte ngushtë me Shqiptarët e përfshirë në trafikimin e kokainës drejt vendeve të bashkimit evropian ndërsa pas arrestimit të tij në vitin 2009 bashkëpunëtorët e tij Shqiptarë kishin krijuar lidhjet e duhura që të organizonin të vetëm trafikun e kokainës.
Prokurori Cesar Pena i rrethit të Guayaquil tregon për A2 CNN se në vitin 2010, njësia e Antidrogës e Ekuadorit dhe e shteteve të tjera të Amerikës Latine janë bashkuar për të ndaluar organizata kriminale, midis të tjerave edhe ato të formuara nga qytetarë me origjine shqiptare, malazeze ose kosovare që veprojnë në Amerikën Latine në shtete si Peru, Bolivi, Kolumbi dhe së fundmi në Ekuador.
“Rastësisht, në vitin 2014, në muajin nëntor, u ndalua organizata e parë shqiptare ku u kap një sasi prej tre tonelatash substancë narkotike, konkretisht kokainë, në një vendbanim afër Guayaquil, në qytetin Duran. U bë një hetim. Të gjithë u proceduan dhe u ndëshkuan, nëpërmjet legjislacionit tonë, me dënimin maksimal, që në atë kohë”, tregon Pena. “Në këtë procedurë të vitit 2014 ishin 6 qytetarë shqiptarë. Dy nga të cilët, nëse memoria nuk më gabon, ishin në kërkim nga Interpoli, njëri nga Greqia dhe tjetri nga vetë Shqipëria, kishin ikur nga këto vende dhe po vepronin në Kolumbi dhe në Ekuador dhe u kapën këtu në Ekuador”.
Fjala është për operacionin e koduar Ballkani, të zhvilluar në Guayaquil në vitin 2014 ku u sekuestruan 277 kilogramë kokainë mbi 70 mijë dollarë si dhe 7 automjete të ndryshme.
Organigrama e grupit përbëhej nga 11 persona ku përcaktoheshin rolet e gjithsecilit. Gramoz Rexhepi, i cili vuan ende dënimin në Guayaquil në burgun La Regional, bashkëpunon me Remzi Azemin një tjetër shqiptar. Ata ishin investitorët e kokainës. Dy kontaktet e tyre të vetme ishin kujdestari i lëndës narkotike Pelivan Rexhepaj, shqiptar, si dhe një ekuadorian i cili mbante lidhjet me rrjetin e 5 bashkëpunëtorëve të tjerë, por edhe dy personave të veçantë të cilët bënin pritjen e ngarkesës në port.
Kjo është skema tipike se si grupet kriminale shqiptare kanë funksionuar në Ekuador, por arrestimi i tyre, mes të cilëve dhe Gramoz Rexhepit, bëri që organizata të shkatërrohej e mes të dënuarve të lirohej vetëm Remzi Azemi.
Si i shpëtoi Arbër Çekaj policisë ekuadoriane?
“Dihet pak në lidhje me të (Gramoz Rexhepi) por falë situatës është e vështirë të mendohet se ai është shefi i madh këtu sepse shefat e mëdhenj të mafies ndërkombëtare nuk qëndrojnë në burg, ata dalin sepse çështja e sistemit tonë gjyqësor mundëson që këto persona mos të qëndrojnë por të dalin. Mund të flasim për shifra, kemi dëgjuar që paguajnë 200 000 – 400 000 dollarë, për të rregulluar këto procese gjyqësore dhe për të fituar lirinë. Askush nuk do të rrijë në burg. Shefi s’do të rrijë në burg, shefi do të rrijë jashtë. P.sh. dimë rastin e shqiptarit të parë, që bëri një perandori të madhe këtu, në vitin 2008-2009. Arbër Çekaj, ai e dinte që do ta ndalonin dhe para se policia të vinte ai iku. Sepse nivelet e korrupsionit janë shumë të larta dhe ata bashkëpunojnë me njerëz të sistemit gjyqësor. U informua dhe iku”, thotë për A2 CNN gazetari investigativ ekuadoran, Stalin Carrion.
Pas shkatërrimit të grupit të parë kriminal të kontrolluar nga shqiptarët, Guayaquil nuk ishte më një terren i panjohur.
“Rreth vitit 2020 kishim këtu një regjistër me 160 shqiptarë të regjistruar që kishin hyrë në Ekuador. Por duhet të kemi parasysh që si në kufi të Ekuadorit me Perunë ashtu edhe në kufi të Ekuadorit me Kolumbinë janë kufij të hapur. Shumë nga këta persona hyjnë në shtet me identitet të dyfishtë duke thënë se janë nga Shtete të tjera, përveç Shqipërisë, sepse policia e Interpolit po bën ndjekje. Ndryshojnë identitetin dhe nisin të veprojnë këtu në Guayaquil”, tregon prokurori Pena.
“Unë mendoj se ka më shumë shqiptarë. Zyrtarisht nuk ka regjistra, është një fondacion ndërkombëtar që ka regjistruar 16 shqiptarë. Por nga rastet e regjistruara, nga mesazhet që ka kapur prokuroria kanë arritur në përfundimin se janë më shumë se 200-400 shqiptarë. Por ka shumë më shumë. Sepse vetëm në Guayaquil ata realizojnë operacione të ndryshme logjistike, operacione për transportimin, për dërgimin. Vetëm nga Guayaquil, sepse që këtu ata menaxhojnë drogën që del nga porti kryesor. Por gjithashtu kemi një provincë tjetër të Loros, në Machala, ku janë vendosur grupe të mafies shqiptare. Të dhënat e policisë nuk korrespondojnë me realitetin, sepse mafia shqiptare merret gjithashtu me dërgimin e drogës që nga porti i Machalas, porti Oliva. Nëse kontrollojmë regjistrat, këtë vit kanë hyrë vetëm 200-250 kg kokainë. Që është shumë pak për këtë port, që do të thotë se droga po del, por ka një nivel të lartë korrupsioni”, thotë Carrion.
Hapja e tregut
Pas Roterdamit dhe Belgjikës, viti 2021 po e kthen Italinë në një shënjestër të ngarkesave. Ky diversifikim ka minuar përparësinë konkurruese të vetëm të një monopoli të lidhur me rrjete kriminale.
Shpërbërja e karteleve historike Kolumbiane në grupe të vogla si dhe kufiri i pakontrolluar ka krijuar mundësinë e hapjes së tregut edhe tek grupet më të vogla të cilat tashmë kanë mundësinë që lidhjen ta bëjnë jo më nëpërmjet kontakteve si Ndrangheta por drejtpërdrejtë me prodhuesit.
Kontributi, rritja e sasisë së Kokainës tek konsumatorët e tregut europian, ndërsa veç Italisë ky ambient ka bërë destinacion të tonelatave të kokainës dhe Shqipërinë, portin e Durrësit.
“Organizata kriminale e mafies së Ballkanit në Ekuador ka pasur shumë zhvillim. Ata janë futur jo vetëm në mënyrë sipërfaqësore por që kanë arritur të infektojnë zonën e porteve, pjesën e kufijve dhe pjesë që kemi menduar se policia mund të kontrollojë, por jo… Kjo duket diçka tërheqëse për krimin e organizuar në vendin tonë. Kjo falë ligjeve të dobëta dhe drejtësisë së dobët të shtetit tonë. Ligjet ekzistojnë, por në momentin e aplikimit nuk ka një drejtësi të fortë. Kufijtë kanë kalime pa një kontroll të hollësishëm. Kemi një kufi të depërtueshëm, mund të kalosh pothuajse nga të gjitha anët pa nevojën për t’iu nënshtruar një kontrolli. Ka lumenj ku uji shkon deri në gjunjë dhe mund të kalohet duke ecur në kufirin me Kolumbinë dhe në kufirin me Perunë. Kjo është arsyeja pse Ekuadori është bërë një vend strategjik për mafian ballkanike, sepse kemi prodhuesit më të mëdhenj të drogës si në Kolumbi po ashtu edhe në Peru dhe Ekuadori po e shfrytëzon rastin si portë dalje”, thotë Carrion.
Lulëzimi i këtij tregu ka sjellë dhe rritjen e vrasjeve me pagesë, rrëmbimeve e kanosjeve. Vija e gjakut për shqiptarët shkon deri në Guayaquil. Ndërkohë me qindra narkotrafikantë shqiptarë kishin gjetur mënyrat për të hyrë të paregjistruar në Ekuador e për tu bërë pjesë e zinxhirit të kokainës.
“Që nga këtu droga dërgohet në tre pikat kryesore të botës: Amerika Qëndrore, Amerika e Veriut dhe Europa. Në Europë e dimë se droga futet nga Belgjika ose nga Amsterdami dhe që aty shpërndahet. Gjithashtu dimë së 40% e drogës menaxhohet nga mafia ballkanike, sepse janë bërë hetime dhe është gjetur që ata veprojnë këtu pa nevojën për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Vijnë me pasaporta të rreme, mund të jenë pasaporta kroate ose greke. Duke qenë se ju jeni shumë të ngjashëm vështirësohet puna e policisë për të gjetur nëse janë persona që vijnë apo jo me dokumente të rreme”, tregon Carrion.
“Mund të shohim gjithashtu që mafia ballkanike… zakonisht kur vijnë këto persona edhe pse me dokumente të rreme futen si turistë për 8 ditë. Brenda këtyre 8 ditëve ato bëjnë lëvizjet e tyre, bëjnë mbledhje, bisedojnë me persona që merren me trafikimin e drogës dhe programojnë dërgesat. Njëlloj siç bëjnë në Itali p.sh., sepse kanë lidhje të mira me Ndranghetën me Kamorrën, me Mafien Siciliane. E njëjta gjë ndodh këtu, këtu kanë pasur lidhje të mira si me Los Choneros, ashtu edhe me grupet e menaxhuara nga Gerald ose grupet që kanë menaxhuar në atë kohë Los Lagartos. Kjo gjë ka bërë të mundur që ata të kenë miqësi me të gjithë dhe të sigurojnë një sasi më të madhe droge për dërgesat”.
Seria e ekzekutimeve dhe “Gjenerata e Re”
“Jam në dijeni që ka një koloni shqiptarësh, sepse pak a shumë para 3 viteve erdhi konsulli shqiptar i zyrës që kanë këtu në Kito, erdhi në Guayaquil, pikërisht për të më takuar dhe për të më kërkuar dorëzimin e kufomës së Ilir Hidrit që e kërkonin nga Shqipëria. Atëherë bëmë procedurat dhe më dëshmoi se ishte vetëm një koloni e vogël shqiptare në Guayaquil dhe në Kito. Por ata që jetonin në Guayaquil dyshoheshin për trafik droge”, na tregon prokurori Pena.
Por le të kthehemi sërish në grupin e parë kriminal shqiptar të vitit 2014. Detaji më i rëndësishëm është lirimi i Remzi Azemit edhe pse ishte një ndër dy investitorët e 278 kilogramëve kokainë. Lirimi i tij lidhet ngushtë me vrasjen e parë të një shqiptari në Ekuador, Ilir Hidrit, i cili u qëllua për vdekje nga dy persona në maj të vitit 2017 në Guayaquil.
Ekzekutimet e shqiptarëve nisin në vitin 2017 në Ekuador, në qytetin e Guayaquil. 40-vjeçari i identifikuar si Ilir Hidri sapo kishte lënë banesën e tij, të marrë me qira, kur dy persona të cilët lëviznin me motor i afrohen dhe e qëllojnë tre herë në kokë për vdekje. Pas ekzekutimit të Hidrit pikërisht në këtë vend një tjetër sagë eliminimesh nis mes shqiptarëve. Motivet e vrasjes së tij lidhen me trafikun e kokainës por personi i cili dyshohet se e eliminim, është nipi i tij.
“Ka disa shqiptarë, unë për shembull ndoqa vrasjen e Ilir Hidrit, që ndodhi në majin e 2017 këtu në periferi të qytetit të Guayaquil. Ai njëkohësisht ishte daja i Remzi Azemit, një tjetër shqiptar që ishte në rastin e të arrestuarve të tjerë të vitit 2014. Rasti i shqiptarëve që unë kam hetuar dhe do të shkoj më tej, ata duke qenë edhe pjesëtarë të së njëjtës familje, po vriteshin midis tyre. Kemi rastin e Ilir Hidrit, i dyshuari kryesor i vrasjes është nipi i tij Remzi Azemi”, kujton Pena.
Përfshirja e Hidrit në trafikun e kokainës ka qenë objekt i policisë së Tiranës nga oficerë të antidrogës por informacioni i tyre asnjë herë nuk u vlerësua nga strukturat qendrore.
“Pas vrasjes se 40-vjeçarit prokuroria ekuadoriane zbuloi akoma më shumë. “P.sh. rasti i Ilir Hidrit, atë e vranë dhe atë ditë, ai kishte takuar një grua që merrej me prostitucion në një vend që quhet El Tesoro. Kishte një muaj që takohej me këtë vajzë. Me sa duket kjo vajzë e mori vesh se me çfarë merrej ai. Ai kishte më shumë se 2 milionë dollarë në kasafortë. Atë e vrasin dhe ajo ikën me partnerin e saj, me tutorin. i marrin paratë nga kasaforta Ilirit. Unë e mora vesh këtë nga personat që morëm në pyetje dhe shqiptarët e tjerë që më kishin treguar për këtë rast. Paratë ishin për blerjen e substancave narkotike dhe dërgimin e tyre në Europë. Iliri i dedikohej blerjes dhe dërgimit në Evropë. Këta qytetarët shqiptarë këtu arrijnë të gjejnë se cila kishte qenë organizata kriminale që i kishte bërë atentat Ilir Hidrit këtu në shtëpinë e tij në bregdet. Dhe pas dy muajve i gjetën të vrarë, sulmuesit. Si i gjetën…”, thotë Pena
“Vajza ishte si partnere e Hidrit por kishte dhe një tutor. Ky person shkoi me vëllain e tij dhe qëllon për vdekje Hidrin dhe ditën që e vrasin i marrin edhe paratë nga shtëpia, më shumë se 2 milionë dhe ikin nga vendi e shkojnë në Panama. Nga Panamaja kthehen nëpërmjet Kolumbisë përsëri në vend dhe vendosen në Quevedo dhe pas dy muajsh ekzekutorët e Hidrit u gjetën të vrarë në Duran”.
Nuk do të kalonte shumë dhe ndaj nipit të Hidrit u bë atentat por makina e blinduar shpëtoi Remzi Azemin. Dy persona me motor qëlluan ndaj makinës së Azemit në qendër të Guayaquil por ai shpëtoi mrekullisht. Për rastin nuk u fol shumë por autoritetet morën diçka me vlerë.
“Ai u hetua sepse iku nga Peruja. Në nëntor të 2018 ai pësoi një atentat me pasojë plagosjen kur qarkullonte këtu në Guayaquil me makinën e tij fuoristadë të blinduar, ku edhe e qëlluan. Në këtë rast policia i kontrollon celularin, sepse ai ishte i plagosur nga arma e zjarrit, dhe merr informacion mbi të gjithë organizatën shqiptare që po operonte këtu në Ekuador”.
Sipas autoriteteve Ekuadoriane në Guayaquil operon një organizatë kriminale me përbërje shqiptare e cila quhet Gjenerata e Re. Shtrirja e saj përfshin Kolumbinë, Perunë dhe Bolivinë por aktiviteti i saj qendror dhe me dërgesat e kokainës bëhet në Guayaquil.
“Sipas informacionit ndërkombëtar që kemi aktualisht, jemi në dijeni që këto grupe shqiptare kanë lidhje me grupet e mafies italiane, me mafien spanjolle dhe me atë greke. Ato kryesisht operojnë në Amerikën Latine, bëjnë blerjet këtu në pjesën veriore, në Kolumbi, ose pjesën jugore Peru dhe kërkojnë portet, në rastin e Perusë porti i Callados dhe në rastin e Ekuadorit portet e Guayaquil, për dërgesën e substancave narkotike në një shkallë më të gjerë, nëpërmjet kontejnerëve të ngarkuar, për shembull: mango, banane, karkaleca. Në bazë të të gjithë këtyre investigimeve kemi mundur të identifikojmë që në zonën e Amerikës Latine veprojnë disa tentakula të mafies shqiptare, të cilat në vetvete janë të lidhura me organizatat kriminale të Italisë, Spanjës dhe Greqisë, sipas informacioneve që janë mbledhur nga policia, në këtë rast nga Interpoli. Ishte një grup specifik, që kemi qenë duke e zbërthyer, gjithsesi e dimë që vazhdon dhe vepron ende, i ashtuquajturi Gjenerata e Re. Me inicialet e tyre, në gjuhën e tyre, po vepronin këtu, në këtë shtet, çdo herë e më shumë kemi dëshmi të reja për personat që veprojnë, kur evidentohen në porte ose në aeroporte këtu në provincën e Guayaquilit, ku ata janë më të përqendruar”.(A2 CNN)