‘Ligjet’ nisin shqyrtimin për Kodin Zgjedhor, Murrizi: Varianti i PS-së është sondazh dhe jo lista të hapura

Më të fundit


Komisioni i Ligjeve nisi sot shqyrtimin e propozimeve që janë bërë deri më tani për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këtë mbledhje do të diskutohet drafti me propozime i depozituar nga PS. Në draftin e PS, parashikohet që të hapen listat 100%. Ndërsa pragun zgjedhor, PS e propozon të jetë 3% në rang kombëtar.

Propozimi tjetër që do shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve është i disa deputetëve të opozitës të cilët propozuan një formulë që i lejon kryetarit të partisë të mbyllë listat deri në 1/3. Sa i përket pragut zgjedhor, opozita parlamentare kërkon të jetë 1% në rang kombëtar. Ndër të tjera, sot do të shqyrtohet propozimi i deputetit Andi Përmeti që gjithashtu parashikon mbylljen e listave deri në 1/3 e saj. Ky propozim pritet t’i bashkëngjitet draftit të Partisë Socialiste.

Ndërkohë, diskutime do të ketë edhe për draftin e Nismës Thurje të depozituar nga deputeti Ralf Gjoni. Ndërsa mbrëmjen e së dielës, opozita e bashkuar hodhi në letër propozimet e saj, ku kërkonte ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore si edhe hapjen e listave 100%. Drafti pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik.

Në fjalën e tij, deputeti i opozitës parlamentare Myslim Murrizi deklaroi se varianti i PS-së është një sondazh dhe jo lista të hapura.

Ulsi Manja: Sot jemi në votimin në parim të Kodit Zgjedhor. Jemi të mbledhur në  Komisionin e Ligjeve dhe jo në Këshillin Politik. PD nuk e ka dorëzuar amendamentin në parlament. Nisma e PD-së vlen për Këshillin Politik.

Myslim Murrizi: Varianti i PS-së është një sondazh dhe jo lista të hapura. Ne në emër të listës sonë kemi kërkuar që listat të hapen 100 për qind. Ne duam që në këtë Kuvend të vijnë deputetë, që vijnë nga qytetarët shqiptarë. Mos pengoni atë që lejon Kushtetuta. Dëshiroj që për herë të parë të ketë garë të ndershme. Ne kërkojmë që numërim të jetë nga administrata politike.

Nuk besoj se është e tepërt që Shqipëria të gjejë 1800 numërues. 90 vende numërimi nga 5 tavolina, herë 4 veta bëjnë 1800 veta dhe të vijnë nga arsimi, noterë e gjyqtarë. Si mundet që unë apo kolegë të PS apo PD të pranojnë që rezultati është ai që është hedhur në kuti kur vota do të numërohet nga individë politikë të caktuar nga drejtuesit politik qoftë të qarqeve qoftë nga kryetari i partisë, kur kemi garë mes vetes.

Kemi propozuar edhe pragun. Nuk na tremb pragu. Të vijnë në parlament ata që e kalojnë pragun. Pra prag kombëtar me sistem rajonal nuk mund të ketë. Idealja do të ishte që të ishte pragu natyral për një mandat në qark”.



Skip to toolbar