Bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama ka mbajtur një fjalim në Londër në Samitin me temë fuqizimin e grave. Në fjalën e saj Linda Rama ka vlerësuar faktin se në Shqipëri 50% e anëtarëve të qeverisë janë gra dhe ato drejtojnë dikasteret më të rëndësishme, si Mbrojtjen, Energjitikën, Infrastrukturën, Ekonominë, Arsimin e etj.
Në tre dekadat e fundit, thekson Rama, është bërë shumë në drejtim të fuqizimit të gruas duke i dhënë grave poste të rëndësishme siç është Prokurorja e Përgjithshme apo Avokatja e Popullit.
“Gruaja shqiptare nuk ka qenë kurrë më e arsimuar sesa sot. Vetëm 5% e grave të brezit të nënave tona ishin me arsim të lartë. Sot, janë gjashtë herë më shumë vajza me diplomë universitare në grupmoshën 25-39 vjeç. Sot nuk ka hendeqe gjinore në arsimin e detyrueshëm, çka është arsye për optimizëm lidhur me mbylljen në jo shumë kohë të hendekut të ngushtë gjinor që ende ekziston në arsimin e mesëm. Sot, ka shumë më shumë vajza sesa djem që ndjekin arsimin e lartë dhe kjo do të ishte e pamendueshme deri jo shumë dekada më parë.
30% e deputeteve në Parlament sot janë gra, 50% e përfaqësuesve në këshillat bashkiakë të vendit janë gra, 50% e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë gra, të cilat aktualisht drejtojnë edhe sektorë që kurrë më parë nuk i ishin besuar gruas.
Energjetika dhe infrastruktura sot kanë një Ministre grua, po ashtu Financat dhe Ekonomia. Gra janë edhe ministret e Mbrojtjes, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Kulturës e të Marrëdhënieve me Parlamentin.
Avokatja e Popullit është grua, Prokurorja e Përgjithshme është grua, Kryetarja e Kolegjit të Lartë të Gjyqësorit është grua, po kështu Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjykatësve e prokurorëve, është grua.
47% e zëvendësministrave, 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e drejtorive të Përgjithshme drejtohen nga gra.
30% e administratorëve dhe të pronarëve të biznesit privat janë gra. Dhe më shumë se 40% e pozicioneve në linjën e parë të menaxhimit në kompanitë private janë gra”, është shprehur Linda Rama.