Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se pavarësisht se ka nisur shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti, policia po mbledh prova dhe po mban shënim çdo gjë dhe se kjo situatë nuk do ta kalojë pa vendosjen e personave përgjegjës përpara ligjit. Ministri Lleshaj inspektoi nga afër pallatet që do të shemben në Durrës, ndërsa tha se në ato pallate ku ka pasur viktima do të trajtohen si skena krimi dhe përgjegjësit e kësaj situatë nuk do ta harrohen.
“Këto ditë ne kemi parë vetëm atë pjesën më tragjike të asaj që ka ndodhur, varrimin e shumë njerëzve që humbën jetën. Kjo që po shohim tani është edhe varrosja e disa godinave që në fakt janë shembur vetë. Tani thjesht po bëhet transporti i tyre drejt vendeve të grumbullimit të mbetjeve. Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera.
Që ditën e parë pavarësisht se publiku ka parë forcat e ndërhyrjes që kanë bërë punën për evakuimin e njerëzve, për shpëtimin e njerëzve, paralel me këta kanë punuar edhe strukturat e tjera të Policisë, të cilat nuk janë edhe aq shumë të dukshme ndoshta nga pikëpamja e uniformave, kanë punuar për të evidentuar gjithçka që lidhet me veprimtari të mundshme kriminale.
Të gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga Policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar. Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë. Pra gjithçka është bërë me një skrupolozitet të paqortueshëm dhe sot për çdo godinë që është rrëzuar përfundimisht, provat janë të administruara sipas procesit përkatës procedural ligjor. Ndërkohë që një ekip i madh hetuesish, investigatorësh, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë po merren me verifikimin e thellë, hetimin e thellë, i cili do të na japë pastaj dhe përgjigjet për gjithçka ka ndodhur dhe për gjithçka që nuk ka ndodhur, sepse kemi diferenca”, bën të ditur ministri Lleshaj.
Ai njofton se policia ka mbledhur prova të mjaftueshme materiale, duke nisur nga hekuri që është përdorur, betoni me çfarë cilësuar është realizuar etj.
“Të gjithë elementët e provës materiale që duhen për këtë rast konkret janë tashmë të administruara nga policia, çeliku i përdorur, hekuri i përdorur, betoni e të tjera me radhë janë të administruara ashtu siç administrohen provat në një vepër penale.
Ajo që pason tani është hetimi. Hetimi i thelluar i dokumentacionit, i përgjegjësive dhe kemi dy kategori përgjegjësish këtu: kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin. Pra janë këto 3 grupe, të cilat do të hetohen me rigorozitet maksimal”, tha ministri për gazetarët.
Më herët, kryeministri Rama i bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet dhe të vendosë para drejtësisë ndërtuesit që kanë kryer abuzime me ndërtimet. Ndërsa po gjatë ditës së martë në Durrës ka nisur shembja e kontrolluar me eksploziv e pallateve të dëmtuara nga tërmeti.