Lobimi në SHBA, Rama: Lojë politike, i hapur për çdo hetim

POLITIKË


Kryeministri Rama, i ftuar në studion e Real Story-t përballë Sokol Ballës ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me asnjë pagesë për lobim në SHBA, duke iu referuar fotos me Presidentin e SHBA, Obama dhe se nuk ka problem me asnjë lloj hetimi. Me këtë deklaratë, ai i është përgjigjur edhe akuzave të kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar hetim nga prokuroria, ndërsa shtoi se e gjitha është një lojë politike.

“Kjo është një çështje e hetuar dhe gjykuar në SHBA dhe po të kisha lidhje me këtë çështje, natyrisht nuk do isha një person i papërfshirë, i papyetur në asnjë aspekt të drejtësisë amerikane. Kjo vjen për të kompensuar një tjetër çështje për publikun, e cila është një çështje e hapur. Është thjesht një lojë politike dhe mua nuk më intereson. Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment, thjesht kam bërë një fotografi me Presidentin e SHBA”, deklaroi Rama.

Po ashtu, ai është pyetur nga gazetari Balla edhe për çështjen e pagesës 80 mijë USD, pasi emri i Ramës është përmendur nga avokati i të pandehurit në sallën e gjyqit, duke iu referuar edhe pyetjes së ngritur të mërkurën po në Real Story nga analisti Gjekmarkaj, i cili tha se do e pyeste Ramën; “Ku i gjete ato dreq parash, kur deklarove se ke kaq shumë pak në bankë?” “Është një pyetje që unë refuzoj t’i përgjigjem, pasi është e ulët në pikëpamjen etike dhe përbën një shpifje përveç një fyerje. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë pagesë. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë pagesë për asnjë arsye në botë”, iu përgjigj Rama këtij dyshimi.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka shtuar se e gjithë kjo çështje është një lojë politike e ngritur për të mashtruar publikun për një tjetër çështje, e cila vazhdon të jetë nën hetim në Shqipëri, e cila i referohet kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. “Nga njëra anë kemi personazhe që ngrenë pyetje të tilla që janë të turpshme, nga ana tjetër kemi shumë prej qindra mijëra eurosh, të cilat i ka marrë përsipër kryetari i PD dhe të cilave nuk i dihet burimi, janë gjëra krejt të ndryshme”, deklaroi Rama, i cili shtoi se është i hapur për çdo hetim nga prokuroria. “Nuk kam asnjë problem për asnjë lloj hetimi dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë çështje. Derisa është një çështje e hetuar nga drejtësia amerikane, nuk mendoj se ka më tepër për të thënë këtë çështje”, deklaroi kreu i qeverisë.



Skip to toolbar