Prokuroria ka marrë të pandehur kreun PD Lulzim Basha, për lobimin rus të PD në SHBA, në periudhën zgjedhore të vitit 2017. Liderit të opozitës, bashkë me me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, por edhe Ilir Dervishit u është dërguar ditën e djeshme një fletë-thirrje për t’u paraqitur ditën e hënë në prokurorinë e Tiranës, ku do u komunikohet zyrtarisht akuza që është ngritur kundër tyre dhe do të merren në pyetje nga grupi hetimor.
Shkresa e lëshuar nga prokurorët e çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj, është publikuar nga Illyria Press. Vendimi i prokurorisë kryeqytetit vjen pas letër-porosisë nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në shkresën e publikuar të prokurorisë theksohet se nëse Basha së bashku me Ristanin dhe Dervishin nuk paraqiten ditën e hënë në prokurori do të bëhet shoqërimi i detyrueshëm me oficerë të policisë gjyqësore.
Pak muaj më parë, prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.
Prokurorët e Tiranës regjistruan procedimin penal nr.645 të vitit 2018. Pas përfundimit të fazës paraprake hetimore prokurorët gjetën elemente të veprave penale të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Veprimet përfshinë marrjen e letër-porosisë nga autoritetet në SHBA.
Në datën 17 qershor prokuroria e Tiranës pret t’ua komunikojë vendimin shtetasve Basha, Ristani dhe Dervishi. Ata duhet të paraqiten në Prokurorinë e Tiranës, në orën 09:30, mbështetur në nenin 304/1, 308 të Kodit të Procedurës Penale.
Kryedemokrati Lulzim Basha është thirrur dhe më herët nga Prokuroria e Tiranës, bashkë me zyrtarët e tjerë të PD, por ai ka refuzuar të paraqitet. Në Mars të këtij viti, kur opozita kishte filluar protestat e saj, Basha dhe tre zyrtarët e tjerë të PD iu përgjigjën negativisht thirrjes së prokurorisë për t’u paraqitur pranë saj në kuadër të hetimit për fondet e lobimit në Shtetet e Bashkuara. Përmes një shkrese zyrtare në atë kohë, Basha shpjegonte se thirrja në Prokurori kishte të bënte me njohjen e tyre me aktet e ardhura nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Autoriteti i Drejtësisë së Skocisë. Këtë herë, Basha do jetë i detyruar të paraqitet në prokurori, pasi ashtu siç deklarohet në shkresën e prokurorisë, në rast të mosparaqitjes, do të bëhet shoqërimi i tij me forcë nga oficerët e policisë gjyqësore.
Brenda tre ditëve kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë dy fletëthirrje nga Prokuroria për të dëshmuar për dy çështje të rënda siç janë: implikimi i tij me rastin “Toyota Yaris” dhe lobimi rus i PD-së në SHBA.