Afati përfundimtar që dosja e Bashës për lobimin me paratë ruse të shkojë në gjykatë, është ora 16.00 e ditës së hënë (sot). Pikërisht në këtë orë përfundon afati 10 ditor në bazë të nenit 327 të kodit të procedurës penale. Pasi të depozitohet në gjykatë, dosja në fjalë do të vlerësohet nëpërmjet gjykatësit paraprak nëse do të shkojë për gjykim apo do të kthehet për t’u plotësuar me hetime të mëtejshme.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj kundërshtoi mbylljen e hetimeve, madje akuzoi prokurorët e çështjes se vepruan me kokën e tyre, ndërkohë që dosja ende nuk është “qepur”, sipas saj.
Mes tre prokurorëve të çështjes Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako ka pasur debate të forta në lidhje me dosjen. Përplasjet bënë që prokurori Kolë Hysenaj të mos e firmosë atë, si dy kolegët e tjerë Karanxha dhe Tako. Rastin e konfirmoi drejtuesja e Prokurorisë Tiranë, Elisabeta Imeraj, e cila tha se dosja ka disa parregullsi procedurale dhe për këtë nuk është dërguar ende në gjykatë. Imeraj akuzoi dy prokurorët Karanxha dhe Tako se janë vetë-shpallur prokurorë të çështjes dhe kanë përjashtuar kolegun e tyre Hysenaj. Madje edhe rrëzimi i akuzës për “pastrim parash” është bërë me firmën e vetëm dy prokurorëve dhe jo Kolë Hysenajt.
“Për hetimin e kësaj çështje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për arsye shëndetësore nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetë-shpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre. Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende. Patjetër që prokurorët kanë të drejtë të vendosin bazuar në ligj dhe në bindjen e tyre të brendshme, por duhet të jemi në rregull edhe nga ana procedurale,” u shpreh Imeraj pak ditë më herët.
Prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën vendimin për dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga ana e Bashës dhe dy drejtuesve të tjerë të partisë së tij, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Hetimet ndaj Bashës nisën në nëntor të 2017, në lidhje me pagesat për lobim të kryera nga ana e PD-së me një shumë prej 675 mijë dollarësh, para që nuk ishin deklaruar si shpenzime në bilancin që PD ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kreu i PD Lulzim Basha i mohoi këto akuza duke deklaruar se “janë të stisura politikisht”, ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i pandehur, Arben Ristani tha se “as ka firmosur dhe as ka vulosur akte e dokumente, prandaj nuk ka si të ketë falsifikuar.”
Falsifikimi i dokumenteve sipas nenit 190/3 i Kodit Penal parashikon burg nga 3 deri në 7 vjet në rast se të pandehurit gjenden fajtorë.
Në dosjen e firmosur vetëm nga dy prokurorë, është rrëzuar akuza për pastrim parash nga ana e kreut të PD-së. Por kjo akuzë është rrëzuar momentalisht, pasi prokuroria ka kërkuar në gjykatë garancinë që ka kërkuar lobisti Nicolas Muzin për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me financimin e parave ruse në SHBA për llogari të Partisë Demokratike.
Kjo do të thotë se vendimin e garancisë që Muzin nuk do të hetohet në Shqipëri për lobimin rus të PD në SHBA duhet ta marrë një gjykatë shqiptare, pasi kjo nuk është një e drejtë e prokurorisë. Vetëm pasi gjykata të vendosë për të dhënë një garanci të tillë, atëherë pritet që prokuroria t’i dërgojë këtë garanci autoriteteve të drejtësisë amerikane për të marrë dëshminë e lobistit Muzin.