KLP-KLGJ, fonde për shoferë e sistem audio, Fino: Absurde!

POLITIKË


Diskutimi i buxhetit për vitin 2020 në Komisionin e Ligjeve është shoqëruar me debate edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi kërkoi në Komisionin e Ligjeve që në buxhetin për vitin 2020 të shtohen 6 shoferë, 4 sekretarë dhe specialistë IT-je, kërkesë që u rrëzua pas shumë debateve me deputetin socialist Bashkim Fino.

“Ka një dallim mes tavaneve buxhetore të dhëna nga ministria e Financave dhe kërkesat e këshillit. Totali i diferencës është 214 milionë lekë mes tavanit dhe kërkesës. Një pjesë e shtesave që propozohen në 2020 ka lidhje me shtimin e punonjësve në administratë. Ne kërkojmë që të kemi 4 sekretarë më shumë. Me logjikën e ligjit katër komisionet, prandaj duhet të kryejnë funksionin në mënyrë optimale dhe prandaj duhen dhe katër sekretaret. Një shtesë tjetër ka të bëjë me numrin e shoferëve pranë KLP. Kemi vetëm 7 shoferë. Gjatë këtij viti kemi pasur rastin të diskutojmë për statusin e KLP. Në këto kushte trajtimi i anëtarëve për transport duhet të zgjidhet. Si për KLGJ duhet të bëhet dhe për KLP. Duam dhe 6 shoferë. Specialistin e IT-se, kemi vetëm një të tillë. Na duhet dhe një tjetër” tha Ibrahimi.


Bashkim Fino, relatori i buxhetit  e kundërshtoi këtë kërkesë të KLP duke e cilësuar absurde . “Ju keni 7 shoferë dhe kjo është absurde, që të kërkoni rritjen e numrit të shoferëve dhe sekretarëve. Është gjynah të ulim nivelin e bisedës për buxhetin. Buxheti për KLP është 73% më shumë” tha Fino.

Edhe kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami kërkoi rritje të fondit për sistemin audio dhe video, si dhe gjeneratorët për fillimin e aktiviteti tek godina e re “Poli i Drejtësisë”, por edhe për shpenzime operative.

“Kërkojmë 28 milionë lekë për të përballuar shpenzimet për fillimin e aktivitetit te godina e re, sistemi audio dhe video dhe gjeneratorët. Kërkojmë të na miratoni 60 milionë lekë për shpenzime operative, 40 milionë lekë investime për gjykatat dhe 100 milionë lekë në investime për menaxhimin elektronik dhe shtesën për KED-në” tha Llagami.

Nga ana tjetër, Fino vlerësoi analizën që Llagami i bëri buxhetit të KLGJ, por tha se e ka të pamundur  plotësimin e të gjithë kërkesave. Fino pasi paraqiti buxhetin për këtë institucion për vitin 2020 tha se qeveria është treguar dorëlëshuar me gjyqësorin.

“Ngela i befasuar nga ekspozeja shkatërruese e kryetares së KLGj-së, por është buxheti i parë dhe do ta prisja. Bëri një analizë që do ta kisha zili. Më lejoni të them që në relacion keni projektbuxhetin në total të KLGJ-së, i KLGJ-së dhe gjykatave. Unë mendoj se qeveria e gjyqësorit që janë këta kërkon fonde si do të trajtohet veprimtaria e tyre gjatë 2020. Qeveria e madhe është treguar koherente dhe dorëlëshuar në të gjitha shifrat që do të them më poshtë. Nuk mund të plotësohen të gjitha kërkesat, por të KLGJ-së janë plotësuar. Afro 50% më shumë do të jetë buxheti se vitin e kaluar. Totali i investime krahasuar me 2019 është 40.7%. Ju keni lekë për t’i harxhuar, 150 milionë lekë të reja për dy muajt e fundit, vetëm për shpenzime, se ato janë të shpërndara njëlloj. Gjithashtu u shtohen 100 punonjës” tha Fino.




Skip to toolbar