Lotë, qirinj dhe dhimbje, Venezuela përkujton mbi 6500 viktimat e dy tërmeteve katastrofikë

BOTA


Rreth 400 persona u mblodhën të premten në mbrëmje në qytetin e Carabayeda, në shtetin e La Guaira, për të përkujtuar viktimat e tërmetit të dyfishtë që goditi Venezuelën 100 ditë më parë.

Vullnetarët shpërndanë qirinj të bardhë në vendin ku dikur ndodhej një kompleks banesash, i shembur nga dy tërmete me magnitudë 7.2 dhe 7.5, të cilët goditën vetëm 39 sekonda larg njëri-tjetrit.

Mes viktimave ishte edhe Francelis Iriarte, një 16-vjeçare, e cila humbi jetën pasi ndërtesa u shemb para syve të prindërve të saj, teksa ata po ktheheshin nga supermarketi. Në makinën e familjes së saj ishte shkruar mesazhi: “Do të të duam përgjithmonë, vajza jonë”.

Mbetjet e 16-vjeçares u gjetën në rrënoja pas 29 ditësh kërkimesh.

Fielous Perdomo, e cila humbi disa të afërm në tragjedi, e përshkroi me dhimbje situatën teksa qëndronte përpara truallit ku dikur ngrihej ndërtesa e apartamenteve.

“Është e vështirë t’i thuash vetes se nuk ka mbetur asgjë, vetëm një pemë e vogël. Është e tmerrshme”, tha ajo mes lotësh.

Tërmeti i dyfishtë i 24 qershorit shkaktoi shkatërrime të mëdha në veri të Venezuelës, ndërsa sipas të dhënave të raportuara, më shumë se 6,500 persona humbën jetën.



Skip to toolbar