Lufta II Botërore, Gjermania i kërkon falje Polonisë pas 80 vitesh

BOTA


Në ditën e 80-vjetorit të nisjes së Luftës së Dytë Botërore, presidenti gjerman i ka kërkuar falje Polonisë për krimet naziste. Nga ana e saj, Polonia kërkon ende dëmshpërblim nga Gjermania për shkatërrimet që shkaktoi.

Presidenti i Gjermanisë, Frenk Valter Shtajnmajer i ka kërkuar falje Polonisë për atë që e ka quajtur “tiraninë naziste”, kur janë bërë 80 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Shtajnmajer dhe liderë të tjerë botërorë ndodhen në Poloni për të përkujtuar nisjen e konfliktit. Në orët e para të së dielës një ceremoni u mbajt në qytetin polak të Vielunit, ku ranë dhe bombat e para gjermane.

Në fjalën e tij, Shtajnmajer dënoi “dëshirën për të asgjësuar” të regjimit nazist që çoi drejt sulmit. “Unë ul kokën përpara viktimave polake të tiranisë gjermane dhe kërkoj falje”, tha Shtajnmajer, duke folur në gjermanisht dhe polonisht. Ai foli përkrah homologut Andrej Duda, i cili nga ana e tij e cilësoi sulmin nazist ndaj Polonisë një “akt barbarie”. Në ceremoni, që nisi në orët e para të mëngjesit, u mbajt gjithashtu një minutë heshtje në nder të viktimave. “Ngjarjet në Vielun treguan se çfarë lufte ishte, një luftë totale dhe pa rregulla. Një luftë shkatërruese”, tha presidenti Duda.

Polonia pësoi disa nga humbjet më të mëdha në njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 6 milionë qytetarë të saj mbetën të vrarë. 80 vjet më pas, Polonia ende kërkon nga Gjermania dëmshpërblim për vdekjet dhe shkatërrimet që shkaktoi. Thirrjet e fundit të kryeministrit Mateus Moraviecki, partia e të cilit është akuzuar për nxitje të ndjenjave nacionaliste, kanë krijuar tensione me Gjermaninë. Një komision parlamentar polak po punon për përcaktimin e shumës së dëmshpërblimit, por për Berlinin zyrtar, çështja është mbyllur.



Skip to toolbar