Lufta/ Minxhozi: Kina dhe Rusia nuk e kanë dënuar Hamas. Kulla: Ja kush do të jenë aleatët kryesor të Izraelit

Më të fundit


Për ekspertin e sigurisë Ilir Kulla, Rusia dhe Siria do të jenë aleatët më të fortë të Izraelit në këtë moment. Konflikti Izrael-Palestinë ishte në fokus të emisionit Real Story me gazetarin Sokol Balla. Analistët e Skënder Minxhozi e Mentor Nazarko, komentuan rolin e Rusisë në këtë konflikt, ndërsa eksperti i sigurisë Ilir Kulla, u shpreh se Rusia dhe Siria do të jenë aleatët më të fortë të Izraelit në këtë moment.

“Metodologjia e konsolidimit të regjimeve autoritare dhe më vonë rrëshqitja drejt diçkaje tjetër nga të qenit demokraci, zakonisht ka çuar pikë, në vend që të heqë tek aparatet ushtarake. Pra, shtetet të ashtuquajtura të forta, kanë kërkuar ose synuar të forcojnë strukturat që si definicion quhen si konservatore, që më së pari janë aparatet policore dhe ushtarake. Një sistem i tillë, u kërkua edhe nga Ukraina që të mbronte veten nga dronët rusë në mes të një lufte gjithashtu shumë të nxehtë. Skenari duhet të jetë shumë më i gjerë. Dhe për të kuptuar skenarin e gjerë kur s’ke informacion nga terreni, duhet të shohësh si sillen të tretët. Unë do përmendja edhe dy qeveri që nuk janë çfarëdo por janë shumë të mëdha. Këto ditë, presidenti kinez dhe presidenti Putin, kanë qenë në një presion që të kenë një deklaratë të hapur sa i përket dënimit të Hamasit. Dhe ata nuk e kanë bërë. Kinezët, muaj më parë ishin arkitekt të diçkaje që sot e konsiderojmë pamundur, siç ishte afrimi i Iranit shiit me Arabinë synite. Pra, do të thotë krijohen disa lidhje, dy shtete që hyjnë në BRICS ndërsa janë në një hasmëri që është më e madhe se ajo e arabëve me vetë izraelitët. Një konkurrencë brenda llojit.” – u shpreh Minxhozi.

Sakaq për analistin Mentor Nazarko ajo që fërkon duart nga ky konflikt është Rusia.

“Rusia fërkon duart kjo është pak, por e sigurt. Nevoja për armatim vjen nga dy burime, nga Izraeli dhe Ukraina është një ndihmë për Rusinë. Pastaj, historiku i marrëdhënieve Rusi – Hamas apo Rusi-Izrael kjo është një gjë tjetër. Roli eventual rus, tregon se sa vështirë e kishte Izraeli për ta njohur Kosovën  dhe prania e diasporës ruse në Izrael tregon sa e madhe ka qenë në favor të Kosovës veprimi që nxiti presidenca Trump. Ndërsa po lexoja, pse nuk ndodhën gjithë këto, kur ishte Trump në krye të SHBA. Dikush konspirativist thotë është lobi i luftës, por kjo është teori e dobët, mendoj unë” – u shpreh Nazarko.

Por analisti Minxhozi ka një tjetër analizë për këtë teori.

“Propozimi i Trump për të kaluar ambasada në Jeruzalem dhe fakti për ta quajtur Jeruzalemin kryeqytetin shpirtëror të izraelitëve, shihet si një akt zjarrvënës më shumë se gjest paqeje. Kritikët e Trump mendoj unë thonë me të drejtë se, ai i humbi Amerikës atë levë Arkimedi që ajo kishte për të qenë mes palëve në një të ardhme, sepse u radhit fort me njërën palë.” -shtoi Minxhozi.

Ndërkohë për Ilir Kullë, Rusia dhe Siria do të jenë aleatët më të fortë të Izraelit në këtë moment.

“Për sa kohë ne kemi njohur Izraelin, nuk ka kuptim mos njohësh kryeqytetin izraelit, Jeruzalemin. Nëse do isha kryeministër i Shqipërisë, ambasadën do e çoja në Jeruzalem.Unë mendoj që Rusia dhe Siria do jenë aleatët më të fortë të Izraelit në këtë pikë, në këtë moment. Siria ka qenë kufiri më i sigurt i Izraelit që nga 1973, edhe tani. Gjatë konfliktit në Siri, vetëm dy ambasada ngelën hapur në Damask, e Vatikanit dhe Çekisë.  Doktrinat e sigurisë izraelite, mendonin që nëse do ndodhte edhe në Siri ajo që ndodhi në Egjipt, pra ardhja e partive islamiste në pushtet, Izraeli kërcënohej.” – theksoi Kulla.



Skip to toolbar