AP
Filmi shtjellohet rreth një violinisti të njohur belg, i cili mbërrin në Kiev për të performuar. Data është shkurt 2022, dhe udhëtimi i tij ndryshon kur Rusia fillon ta bombardojë Ukrainën. Muzikanti i mbijeton një vargu “krimesh çnjerëzore dhe provokimesh të përgjakshme nga nacionalistët ukrainas”, pasi ai dëshiron t’i tregojë botës “se si ishte lufta në të vërtetë”.
“Dëshmitari” – një dramë e sponsorizuar nga shteti që ishte premierë në Rusi më 17 gusht – është filmi i parë artistik për pushtimin 18-mujor. Ky film i përshkruan trupat ukrainase si neo-nazistë të dhunshëm, të cilët e torturojnë dhe vrasin popullin e vet. Njëri nga ta madje e vesh edhe një fanellë me Hitlerin në të; një tjetër shfaqet duke marrë drogë. Filmi madje e shfaq djalin e karakterit kryesor duke pyetur veten: “A nuk është Ukraina Rusi?”
Kjo është një narrativë që Kremlini është duke e promovuar që nga dita e parë e luftës – e gjitha e përmbledhur në një film.
Publikimi i “Dëshmitarit” u bë pasi autoritetet ruse njoftuan rreth një plani për ta rritur prodhimin e filmave që i lartësojnë veprimet e Moskës në Ukrainë dhe është pjesë e propagandës në rritje.
Por, në një epokë të informacioneve të menjëhershme dhe dezinformimit në kohë lufte dhe në kohë të tjera, lindin dy pyetje: A janë filmat propagandues vërtet efektiv? Dhe a janë hiç të mirë?
A do të ketë shikues?
Se a do të tërheqin shikues filmat e tillë është pikëpyetje e madhe. Filma të ngjashëm kanë qenë të tmerrshëm sa i përket mbushjes së arkave. Për më tepër, sociologët thonë se interesimi i njerëzve për ta përcjellë luftën është zbehur, dhe në ditët e sotme njerëzit thjesht duan të ikin nga mërzia dhe trishtimi i lajmeve nga Ukraina.
“Ne dëgjojmë vazhdimisht [nga të anketuarit] se është stres i madh, dhimbje e madhe”, thotë Denis Volkov, drejtor i Qendrës Levada, anketuesit kryesor të pavarur të Rusisë. Disa rusë, thotë ai, ngulin këmbë se “nuk bisedojnë, nuk shikojnë dhe nuk dëgjojmë” lajme për Ukrainën, në përpjekje për ta përballuar stresin.
Filmi është medium i rëndësishëm që qeveritë e kanë përdorur për t’i ndryshuar mesazhet patriotike – qysh nga kohët e hershme të Bashkimit Sovjetik deri te përdorimi në kohë lufte nga Gjermania naziste dhe Italia, e madje edhe nga Shtetet e Bashkuara gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Partë Botërore. Në kohët më moderne, themeluesi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung dhe djali dhe pasuesi i tij, Kim Jong Il, vazhduan me filma të rregullt propagandues.
Filmat propagandues të sponsorizuar nga shteti janë përdorur edhe në Lindjen e Mesme në një shkallë deri diku të suksesshme. Lufta civile në Siri, për shembull, u bë pikë kyçe e telenovelave të Ramadan TV në dekadën e fundit, përfshirë e disave të cilat e mbështesnin presidentin e Sirisë, Bashar Assad. Irani vazhdimisht i financon filmat që i lartësojnë forcat paramilitare dhe të vijës së ashpër, të cilat i mbështet nëpër rajon.
Në Rusinë e sotme, propaganda si trillim nuk është përpjekje kuturu. Autoritetet ruse flasin haptazi për qëllimin e tyre për ta sjellë luftën në Ukrainë – apo më mirë thënë: narrativen ruse për të – në ekranin e madh.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar Ministrinë e Kulturës, për t’u siguruar që kinematë shfaqin në ekran dokumentare rreth “operacionit të veçantë ushtarak”, siç e quan Kremlini luftën në Ukrainë.
Ministria i ka bërë prioritet edhe temat gjatë ndarjes së fondeve shtetërore për filma. Kjo përfshin edhe “heroizmin dhe vetëmohimin e luftëtarëve rusë” në Ukrainë dhe “luftimin e manifestimeve moderne të nazistëve dhe ideologjisë fashiste” – një akuzë e rreme që Putini ua bën liderëve të Kievit.
Fondi shtetërore nga i cili krijuesit e filmave rusë mund të përfitojnë këtë vit është më i madh se kurrë më parë: 30 miliardë rubla ruse (rreth 320 milionë dollarë), të ofruara nga dy trupa qeveritarë dhe një organizatë shtetërore. Kjo është pjesa kryesore e industrisë së sotme, e cila ka vite që është tejet e varur nga financimi shtetëror.
Kritiku i filmave rusë, Anton Dolin, e përshkruan këtë si “sistem i mbrapshtë kur shteti është prodhuesi kryesor dhe më i pasur në vend”. Në një intervistë me Associated Press, Dolin theksoi se të gjithë filmat duhet të marrin licencë nga Ministria e Kulturës për t’u shfaqur.
Pra “mekanizmi i censurimit” funksionon edhe për ata të cilët nuk marrin para nga qeveria.
Si iu bashkua propaganda “kinemasë shumë të mirëfilltë”
Kjo nuk nënkupton se filmbërësit rusë, të cilët paguhen nga shteti, prodhojnë gjithmonë propagandë. Ka edhe “kinema shumë të mirëfilltë” atje, thotë eksperti i kulturës dhe kritiku, Yuri Saprykin.
Vërtet, disa filma të nominuar për Oscar nga Rusia kishin marrë fonde nga shteti – për shembull, filmi “Leviatani” nga regjisori Andrey Zvyagintsev, i cili u publikua më 2015 në Rusi dhe më vonë u kritikua nga Ministria e Kulturës si “anti-rus” për shkak të përshkrimit kritik të realitetit rus. Ka pasur edhe shumë hite vendore: drama shumë të shikuara historike, filma të suksesshëm fantastiko-shkencor, portretizim të atletëve legjendarë sovjetikë.
Në përgjithësi, deri së fundmi industria e filmit e Rusisë ishte konsideruar si “e mirë, që prodhon filma të mirë dhe që e sfidon regjimin nganjëherë”, thotë Gregory Dolgopolov, studiues i prodhimit të filmit dhe videos në Universitetin Nju Sauth Uells.
Pas luftës së shkurtër me Gjeorgjisë më 2008, televizioni shtetëror rus e shfaqi një film që pasqyronte versionin e Moskës sesi fqinji i saj e nisi konfliktin. Rrëfimi i tij ishte disi i ngjashëm me atë të filmit “Dëshmitari”: një amerikan dhe miku i tij rus janë dëshmitarë të fillimit të luftës dhe nisën në një mision për ta sjellë të vërtetën para botës, derisa forcat e sigurisë së Gjeorgjisë përpiqen t’i ndalin ata.
Kjo ndodhi përsëri më 2014 pas aneksimit të jashtëligjshëm të Krimesë – dhe këtë herë, narrativet e Kremlinit u shpërndan nëpër kinematë e filmit.
Filmi i vitit 2017 “Krimea” e arsyetoi uzurpimin e këtij gadishulli ukrainas nga Moska dhe e portretizoi si dhunë të pakuptimtë një kryengritje popullore në Kiev më 2014, gjatë të cilës u rrëzua presidenti pro-Kremlinit i Ukrainës, me ukrainasit duke i vrarë brutalisht bashkatdhetarët e vet. Jo vetëm që ishte sponsorizuar nga shteti, por krijuesit e tij thanë se idenë për të e dha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu.
Një vit më vonë, një komedi romantike e sponsorizuar nga shteti për Krimenë – e shkruar nga Margarita Simonyan, kryeredaktorja e televizionit të financuar nga qeveria, RT – u përqendrua në një projekt për të cilin interesohej Putini: një urë që e lidh gadishullin me tokën. E përshkroi Krimenë si një vend që po lulëzonte nën sundimin rus.
Të dy filmat u promovuan nga mediat shtetërore, por u kritikuan nga kritikët e pavarur për komplotet e dobëta dhe karakteret e këqija. Të dy filmat dështuan keq për t’i mbushur arkat. Disa filma tjerë për konfliktin në Ukrainë, të cilët Moska i nxiti duke e fajësuar Kievin, ishin edhe më të pasuksesshëm.
“Pse do të shkonin njerëzit për ta shikuar një reklamë për shtetin, shtetin nga i cili vuajnë… posaçërisht kur kanë mundësi të tjera?” pyet Dolini.
Mundësia tjetër – filmat e suksesshëm të Hollivudit – ka qenë gjithmonë më e suksesshme, pavarësisht se sa fort Kremlini ka tentuar ta nxitë ndjenjën ant-Perëndim. Aq shumë saqë në një pikë të caktuar, autoritetet ruse filluan ta shtynin publikimin e hiteve të Hollivudit të cilat përkonin me publikimin e filmave vendorë për të cilin dëshironin të kishin sukses.
Prapëseprapë, “çdo film Spider-Man, Marvel apo Star Wars, çdo film amerikan ka fituar të hyra të jashtëzakonshme në Rusi”, tha Ivan Philippov, kreator ekzekutiv në AR Content, kompaninë e producentit të njohur të filmit Alexander Rodnyansky.
Numri i filmave propagandues pritet të rritet
Në tërësi, industria ruse ka shprehur pak interesim në vitet e fundit në prodhimin e filmave propagandues për konfliktin e Moskës në Ukrainë. Philippov nënvizon se nga qindra filma të publikuar në Rusia çdo vit, vetëm dhjetëra prej tyre i janë kushtuar kësaj teme që nga viti 2014.
Ai pret që ky numër të rritet dhe i përmend dy në prodhim e sipër, përveç “Dëshmitarit”. Njëri “Milici”, shtjellon një artist nga Moska i cili vendos t’i bashkohet kryengritjes separatiste të mbështetur nga Kremlini në lindje të Ukrainës, duke e braktisur jetën e tij boheme në kryeqytetin rus.
Një tjetër, “Misioni Bandat”, ka të bëjë me trupat ruse që përpiqen ta shpëtojnë një grup studentësh indianë të ngecur në një qytet ukrainas, teksa “operacioni i veçantë ushtarak” i Moskës fillon. Qyteti, thotë narrativi i filmit, është nën kontrollin e “nacionalistëve ukrainas”, të cilët “bëjnë kërdi” dhe po përpiqen t’i kapin studentët.
Pasi studiot e mëdha të Hollivudit e ndalën punën në Rusi vitin e kaluar, këtë vit nuk ka filma marvel për të garuar kundër tyre. Por, filma të tjerë rusë po dalin të jenë të pëlqyer nga shikuesit të cilët kërkojnë emocione pozitive.
“Cheburashka”, një përrallë me karakterin ikonë sovjetik të filmave vizatimorë, i cili u publikuar gjatë festave të Vitit të Ri këtë vit, korri sukses shumë të madh. I fitoi gati 74 milionë dollarë, ndërsa prodhimi i tij kishte kushtuar vetëm 7 milionë dollarë.
Philippov thotë se askush në industri nuk ka mundur ta parafytyrojë një fitim të tillë. Por, filmbërësit tjerë po i ndjekin këta hapa, duke i riprodhuar filmat klasikë sovjetikë dhe duke u frymëzuar nga përrallat. “Industria nxori një përfundim: Rusët vërtet duan të distancohen nga ajo që e përbën rutinën e përditshme të tyre”, thotë Philippov.
“Ata vërtet nuk duan të shikojnë filma për luftën”, shtoi ai.
“Dëshmitari” sikur i bëri jehonë kësaj ndjesie, pasi ishte premierë në Rusi me pak adhurues dhe me një përmendje të vogël në mediat shtetërore.
Në një kinema në Moskë në një pasdite me shi të dielën e kaluar, pothuajse dhjetëra shikues thanë se kishin ardhur për të parë filma, jo filmin “Dëshmitari”, megjithëse disa thanë se mendojnë ta shikojnë dikur. Deri në çastin kur nisi shfaqja e filmit, në dhomën e kinemasë me 180 ulëse ishin vetëm rreth 20 shikues.
Gjatë fundjavës së parë të tij, ky film i fitoi vetëm 6.7 milionë ruba – apo rreth 70 mijë dollarë.
Kjo nuk është befasi, nëse e pyesni Ruth Ben-Ghiat, profesoreshë e historisë në Universitetin e Nju Jorkut, mëson propagandën dhe autoritarizmin.
“Kur një autoritar është duke u mbrojtur dhe po kryen luftë dhe gjërat nuk po shkojnë për të, filmat e bërë për qëllime indoktrinomi shpesh nuk janë të mirë”, tha ajo./rel