Policia e Shtetit njofton se ka goditur dy raste të tjera të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Kështu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fluksi 2”, në autobusin e linjës Durrës – Bari janë gjetur dhe sekuestruar 82 550 euro, ndërsa në pranga janë vënë dy shtetas nga Elbasani.
“Në PKK Port Durrës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi 2”, i cili u mbështet në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, si dhe u bazua në analizën e riskut. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, shoferë të të cilit ishin shtetasit G. L. dhe V. E. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, i kryer duke përdorur metoda bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 82 550 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. L., 42 vjeç dhe V. E., 52 vjeç, të dy banues në Elbasan.”
Policia e Shtetit
Ndërkohë, rasti i dytë është konstatuar në Rinas, ku pas një kontrolli në çantën e shpinës të një 28-vjeçari nga Burreli, u gjetën 12 820 paund, të padeklaruara, të cilat u sekuestruan nga policia.
“Në Rinas, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të vendit, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm shtetasi K. M. Në çantën e shpinës së këtij shtetasi, Policia gjeti 12 820 paund të cilat ky shtetas tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Londër, si dhe u sekuestrua shuma e parave.”