Presidenti i Francës Emanuel Macron foli të mërkurën në mbrëmje në konferencë për shtyp krah Kancelares Angela Merkel, pas takimit që zhvilluan së bashku. Macron dha sinjale pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar progresin që dy vendet kanë bërë deri më tani. Megjithatë, duke u shprehur se ndan të njëjtin vizion gjeopolitik dhe strategjik me Angela Merkel, Emanuel Macron u shpreh se Europës i duhet dhe pak kohë për të nisur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pra, pranon se “fajin” e ka vetë Europa, dhe jo vendet që duan të anëtarësohen.
“Unë ndaj të njëjtit vizion gjeopolitik dhe strategjik me kancelaren gjermane. Dua t’u dërgoj një sinjal pozitiv këtyre drejtuesve, por duke parë këtë gjë dua t`u them atyre: këtë herë jemi ne që kemi nevojë për pak më shumë kohë për të bërë disa gjëra”, shtoi Macron. Anglea Merkel bëri shumë përpjekje ditët e fundit për të bindur Macron, por mesa duket çdo tentativë e saj, nuk gjeti vëmendjen e duhur. Të paktën, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, këtë herë, nëse Macron do të mbajë të njëjtin qëndrim si të mërkurën deri të premten, do të jenë të qeta për një gjë.
Negociatat nuk po bllokohen për shkakun e tyre, pasi ato (negociatat) po bllokohen për shkak të problemeve të brendshme të Europës. Këtë gjë e konfirmoi Emanuel Macron në prani të Angela Merkel, teksa vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe tha se “Balkani është strategjik për ne”, u shpreh se “së pari duhet të ndryshohet procedura, dhe më pas vijnë pranimet e mëtejshme në BE”. “Përshëndesim vullnetin dhe reformat e ndërmarra deri tani në këto dy vende, por pavarësisht nga sinjalet pozitive prej dy vendeve, që vijnë nga një rajon strategjik për ne, si Ballkani, ajo që ne kemi në vëmendje është të ndryshojmë procedurën e pranimeve të mëtejshme në BE”, u shpreh ndër të tjera Macron.
Megjithatë, Angela Merkel, edhe pse është munduar të bindë gjatë këtyre ditëve Emanuel Macron, bëri dhe një tentativë të fundit live, përpara kamerave, në sy të gjithë botës. Ajo i kujtoi presidentit të Francës se për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet vendim unanim, ndërsa u shpreh se për probelmatikat e shfaqura, Franca dhe Gjermania kanë diferenca. “Kemi disa diferenca sa i përket problematikave që janë shfaqur. Ashtu siç e dini duhet një vendim unanim për çeljen e negociatave”, deklaroi Merkel./Realstory.al/