Manastirliu bën bilancin: 750 të lënduar nga tërmeti, 3 në gjendje të rëndë

AKTUALITET


Numri i të lënduarve nga tërmeti ka shkuar në 750 persona, të cilët kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 660 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se aktualisht janë të shtruar 65 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që paraqiten në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë 572 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.

Ndërsa 145 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Tiranë dhe Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 3745 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 937 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.



Skip to toolbar