Margarita Xhepa feston 90 vjetorin e lindjes, ministria e Kulturës organizon një aktivitet në nder të saj

Më të fundit


Aktorja e mirënjohur, Margarita Xhepa feston sot 90 vjetorin e lindjes. Në nder të saj, ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka organizuar një aktivitet, ku të ftuar ishin figura të njohura kulturore. I pranishëm ishte edhe ministri Blendi Gonxhja.

Teksa shprehu falenderimet, aktorja tha se kjo është ditëlindja e parë që feston në moshë madhore. Ajo thotë se ndihet keq kur mendon se ka humbur njerëz të dashur dhe kolegë pune në moshë të re.

“Në qytetin tim të lindjes, ishte një zakon që nuk i festonin datëlindjet e vajzave. Dhe djemtë e mi donin të ma festonin datëlindjen, por unë iu thoja nuk jam mësuar. Kështu që është datëlindja ime e parë që festoj në këtë moshë madhore. E them këtë sepse më ka pikuar loti që më janë larguar njerëzit e mi të dashur nqë një moshë të re, po ashtu edhe kolegët e teatrit që kam punuar një jetë të tërë, janë larguar nga jeta dhe pa dalë në pension. Po kështu është jeta, me dhimbjet të gërshetohen edhe gëzimet e punës.”, tha mes të tjerash aktorja gjatë fjalës së saj në aktivitet.

Gjatë karrierës së saj, Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi. Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën” etj. Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976). Margarita Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.



Skip to toolbar