Marrëveshjet për emigrantët/ Ambasadori Smith: Krijuan tjetër këndvështrim për Shqipërinë. Kemi miratuar mbi 95 përqind të vizave të punësimit

Më të fundit


“Shqipëria ka rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e popullit të MB-së, duke shpresuar që gjithashtu edhe MB-ja ka rëndësi për Shqipërinë”, kështu është shprehur ambasadori britanik Alastair King-Smith gjatë intervistës në emisionin “Real Story”, në ABC News.

Gjatë bisedës në studio, ambasadori britanik u ndal tek marrëveshjet për emigrantët, përkatësisht tek marrëveshja me Britaninë e Madhe dhe së fundmi ajo me Italinë.

Ai u shpreh se Shqipëria dhe Britania janë jo vetëm partnerë, por edhe miq të vërtetë, ndërsa shtoi:

“Jam realisht i lumtur që kemi miratim të më shumë se 95% të vizave të punësimit, dhe diku 85% apo 89% të vizave të studimit. Duhet të zgjidhim më mirë çështjen e vizave turistike, dhe jam i vetëdijshëm që nuk jemi në pikën e duhur me këtë”.

Pjesë nga intervista: Z.ambasador, një nga vendimet e para që mori qeveria e re laburiste grisja e marrëveshjes për Ruandën, ndërkohë që ju thoni se marrëveshja me Shqipërinë funksionoi, dhe shifrat flasin për këtë. Nga ana tjetër kemi një tjetër marrëveshje po për emigrantët mes dy vendeve, mes Shqipërisë dhe Italisë që edhe ajo po trumbetohet si një fitore nga kryeministrja e Italisë. Nga këto dy lëvizje, le të themi politike, por edhe diplomatike që qeveria e Tiranës po bën me një vend anëtar të BE dhe një vend shumë të rëndësishëm në shkallë botërore, siç është Britania e Madhe, çfarë po fiton Shqipëria?

Sepse kryeministri thotë ne nuk përfitojmë asnjë lek nga Italia, nuk kemi përfituar asnjë lek nga Britania e Madhe, në fakt ka përfituar se unë e di që Drejtoria e Burgjeve ka përfituar nga ajo marrëveshje, por realisht për imazhin e Shqipërisë, këto dy lloj marrëveshjes të suksesshme në rang kombëtar, çfarë i sjellin Shqipërisë dhe shqiptarë?

Ambasadori britanik AlastairKing-Smith: Ke të drejtë që ka një sërë marrëveshjesh që trajtojnë migracionin, çështjen e burgjeve dhe elementë të tjerë. Por këto kanë krijuar edhe një këndvështrim tjetër për Shqipërinë. Shqipëria ka rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e popullit të MB-së, duke shpresuar që gjithashtu edhe MB-ja ka rëndësi për Shqipërinë. Sinjali është që të shkojmë përtej këtyre çështjeve. Prandaj mendoj se Komunikata e Përbashkët është e rëndësishme, duke qenë se përcaktoi një sërë fushash më të gjera për trajtim. Ka të bëjë edhe me këndvështrimin e njerëzve. Tani ata e shohin Shqipërinë si vend fantastik me turizëm shumë të mirë, që doemos përqendrohet në bregdet, i cili është i mahnitshëm dhe ku jam kënaqur shumë në të gjithë vendet e Shqipërisë që kam vizituar buzë detit. Por edhe zonat malore, dhe në veri besoj se kanë shumë potencial të pashfrytëzuar. Besoj se të gjithë turistët që do të vijnë jo vetëm që do të fuqizojnë imazhin e Shqipërisë si vend shumë pozitiv, por ata do të përjetojnë mikpritjen e mrekullueshme të shqiptarëve dhe miqësinë e tyre që e fiton shumë shpejt, siç i kam përjetuar edhe unë. Unë kam fituar aq shumë miq këtu, sa vetëm këto miqësi do të më bëjnë mik të Shqipërisë për të gjithë jetën. Besoj se ata që vijnë këtu si për verë, apo edhe në momente të tjera, do ta përjetojnë diçka të tillë, duke i lejuar të krijojnë lidhje qofshin këto profesionale, biznesi, kulturore apo të tjera. Realisht shpresoj të ketë sa më shumë lidhje të tilla.

Mikpritja është në AND-në e shqiptarëve, sidomos për miqtë që vijnë nga jashtë. Por ajo që mua më intereson është që në të njëjtën mënyrë shqiptarët të fillojnë të trajtohen edhe përtej. Ashtu siç ne ju mirëpresim ju, apo si qeveria shqiptare i përgjigjet qeverisë britanike, për ato nevoja që ajo ka, unë do të doja që të ndryshonte diçka edhe në imazhin në Britaninë e Madhe. Pra gjithë këto marrëveshje, që kanë ndihmuar vende të rëndësishme, në një farë mënyrë t’i përkthehen jo thjesht politikisht, qeverisë së Tiranës, kushdo qoftë ajo, por qytetarëve. Pra, nëse ne ndihmojmë Britaninë e Madhe, për të reduktuar në kuota pothuajse minimale historike emigracionin e paligjshëm, unë do të doja që qytetarët shqiptarë të përfitonin në mënyrë të ligjshme lehtësira sa i përket udhëtimeve të tyre në Europë, SHBA, por edhe në Britaninë e Madhe. Mendoni se do ketë një impakt te qytetarët shqiptarë kjo klimë, shumë e mirë, mes dy vendeve.

Ambasadori britanik Alastair King-Smith: Ke shumë të drejtë. Duhet të përqendrohemi te përvoja e njerëzve dhe si të krijojmë lidhje mes tyre, sepse kjo është mënyra më e qëndrueshme për arritjen e ndikimit të vërtetë dhe për realizimin e plotë të ndryshimeve që kanë ndodhur mes vendeve tona. Kjo është normalisht më e lehtë kur dy qeveritë kanë marrëdhënie pozitive dhe Shqipëria dhe MB-ja e shohin njëra-tjetrën si partnerë shumë të mirë, dhe si miq të vërtetë. Isha realisht i lumtur që gjatë samitit të NATO-s, javën e shkuar dy Kryeministrat tanë u takuan, ashtu siç bënë dhe bashkëshortet e tyre, se edhe kjo ka rëndësi. Pra është e rëndësishme të kemi këto lidhje në rang kryeministrash, apo në rang të Madhërisë së Tij, e deri tek qytetarët e thjeshtë që krijojnë lidhje mes tyre.

Pjesë e kësaj është edhe fakti që kur jam në Mbretërinë e Bashkuar, dhe jetoj në Londër shpesh ndeshem me shqiptarë që po bëjnë gjëra fantastike në Londër dhe japin kontribut për ekonominë tonë. Edhe këtë element duhet ta lehtësojmë në mënyrën e duhur. Kështu, jam realisht i lumtur që kemi miratim të më shumë se 95% të vizave të punësimit, dhe diku 85% apo 89% të vizave të studimit. Duhet të zgjidhim më mirë çështjen e vizave turistike, dhe jam i vetëdijshëm që nuk jemi në pikën e duhur me këtë. Duam që këto shkëmbime të ndodhin dhe besoj se qeveria e re do të shqyrtojë qasjet e duhura për këtë. Këtu Shqipëria luan përsëri rol, sepse disa përvoja të mira dhe shembuj që mund t’i shërbejnë pjesës tjetër të Evropës. Besoj se MB-ja është mbështetëse e fortë e Shqipërisë për të ardhmen dhe për lidhjet mes njerëzve që sapo diskutuam.

Ky është një lajm i shkëlqyer pasi besoj që më në fund besoj që ne e meritojmë këtë trajtim. Z.Ambasador, një pyetje që lidhet me qeverinë e re. z.Rama nuk është një politikan klasik, ka ditur të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera me politikanë, apo kryeministra që nuk janë domosdoshmërisht krahu i tij politik. Ai arriti të kishte marrëdhënie të shkëlqyera edhe kryeministrin Sunak dhe arriti një marrëveshje shumë të rëndësishme. Z.Starmer nga ana tjetër nuk është një i majtë klasik. Programi i tij ju e thatë është një program i cili, krijon vazhdimësi me vendimmarrjen e qeverisë së mëparshme, por mendoni që afria qoftë ideologjike politike, do të ndihmojë dhe një herë në rikthimin e një klime përtej shumë të mirë por edhe personale, miqësore që z.Rama kishte me qeveritë laburiste.

Ambasadori britanik Alastair King-Smith: Në thelb, besoj se është e rëndësishme që është shkuar përtej dallimeve politike. Po këtu keni Partinë Socialiste, ndërsa në MB ishte Partia Konservatore dhe tani ajo Laburiste, por është shumë e qartë që pavarësisht dallimeve partiake ne duam të forcojmë marrëdhënien dhe të sigurohemi që është e fuqishme. Jam shumë i lumtur që Shqipëria ka një sërë miqsh të fuqishëm në pozicione të larta në qeveri. Më kanë kontaktuar tashmë duke më thënë se shumëkush dëshiron të vijë në Shqipëri, apo për të pyetur se kur homologët e tyre shqiptarë mund të shkojnë në Londër, kështu që nga këndvështrimi qeveritar, marrëdhënia e ngushtë do të vijojë. Gjithashtu, ka edhe disa marrëdhënie afatgjata nga e shkuara, me persona si Tony Blair që ka luajtur rol të rëndësishëm në rajon dhe në Kosovë në veçanti, apo Alastair Campbell dhe të tjerë. Pra lidhjet që do të sigurojnë qëndrueshmërinë e lidhjeve politike janë të pranishme, por ato janë të rëndësishme për aq kohë sa mundësojnë çka duhet të ndodhë për qytetarët. Në këtë kuadër mendoj se tani sfida e vërtetë është të gjejmë qasjen e duhura që do të përforcojnë bashkëpunimin që sjell ndryshime pozitive./abcnews.al/



Skip to toolbar