Masakra e Peshkëpisë, hetime pas 25 vjetësh. Pyetet Bejleri dhe 8 të tjerë

AKTUALITET


Pas marrjes në pyetje të ish-kreut të OMONIA-s, Fredi Bejleri, Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje edhe 8 persona të tjerë lidhur me masakrën e Peshkëpisë.

Bejleri ishte ndër të parët që u pyet pas dyshimeve se ai ka qenë pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë të 10 prillit 1994, ndërkohë që sot janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe 8 persona të tjerë.

Vendimi  për rihapjen e dosjes në fjalë është bërë më 19 shkurt 2019. Kjo çështje është regjistruar për akuzën e “Veprimeve për qëllime terroriste” me pasojë vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Hetimet për masakrën e Peshkëpisë drejtohen nga prokurori, Eugen Beci, i cili i njoftoi dje akuzën Fredi Bejlerit, megjithëse ky i fundit tha për mediat se ditën e ngjarjes nuk ka qenë në Shqipëri, por në Qipro.

Mësohet se në total janë 20 persona që pritet të merren në pyetje nga prokuroria dhe oficerët e antiterrorit. Në vazhdën e veprimeve hetimore me urdhër të prokurorisë mësohet të jenë sekuestruar dhe kopje të disa dokumentarëve televizivë të kryer nga mediat shqiptare gjatë viteve të fundit. Gjithashtu është kërkuar që nëpërmjet vendimit balistik krahasues të bëhet krahasimi i gëzhojave të armëve të gjahut të fiksuara në procesverbalin e këqyrjes së datës 10.04.1994 me të dhënat e administruara në Policinë Shkencore.

Asokohet një skuadër paraushtarake greke e njohur si “Fronti Për Çlirim e Vorio Epirit”- MAVI, e përbërë nga 7 persona, hyri në territorin shqiptar dhe shkaktoi sulmin, ku mbetën të vdekur ushtari Arsen Gjini dhe komandanti i repartit Fatmir Shehu, por edhe katër persona të plagosur.

Dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja që erdhi nga territori grek. Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit te madh.

Sipas burimeve të prokurorisë ato janë shtënë nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm. 



Skip to toolbar