Peshkëpia, Bejleri përsëri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Fredi Bejleri është thirrur për herë të tretë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë sqarime në lidhje me “Masakrën e Peshkëpisë”, ngjarje që ka ndodhur në vitin 1994.

Aso kohe, një grup i organizatës “MAVI” sulmoi postën e Peshkëpisë, ku mbetën të vrarë dy shqiptarë dhe u plagosën tre të tjerë. Bejleri u paraqit përsëri sot para Prokurorit Eugen Beci, për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me atë ngjarje, si person nën hetim pasi dyshohet që ka qenë i përfshirë në atë ngjarje.

Kreu i OMONIA nuk i ka pranuar akuzat duke deklaruar se nuk qenë fare në Shqipëri në atë kohë. Prokuroria ka dërguar letër-porosi në Greqi në lidhje me këtë dosje, për të marrë në pyetje disa persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Ndërkaq, Fredi Bejlerit i është refuzuar kandidimi nga KQZ për kryetar në Bashkinë e Himarës, pasi ai preket nga ligji i Dekriminalizmit, si person që ka kryer vepra penale.

Sakaq, për ngjarjen e Peshkëpisë, e rihapur për hetim pas më shumë se 25 vjetësh, janë nën hetim rreth 25 persona brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët akuzohen për akte terroriste.

Kolegji ‘rrëzon’ Bejlerin për Himarën, reagon kandidati: Po kthehemi në komunizëm

Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të mos regjistruar Fredi Bejlerin si kandidat për kryebashkiak të Himarës.

Bejleri ka thënë sot se e respekton vendimin e Kolegjit Zgjedhor, por këtë çështje do e çojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Bejleri ka komentuar dhe zgjedhjet e 30 qershorit për të cilat tha se nuk mund të zhvillohen me një kandidat.

“Do ketë zgjedhje? Zgjedhjet me një kandidat nuk janë zgjedhje, shpresoj që të mos të kthehemi në kohën e komunizmit”, tha Bejleri.

Ai ka folur dhe për thirrjen në Prokurorin e Krimeve të Rëndë, pasi akuzohet se ka lidhje me masakrën e Peshkëpisë.

Por Fredi Bejleri tha se nuk kishte lidhje as me këtë çështje dhe as me ndonjë ngjarje të tillë, pasi i quajti ato si akuza politike.

“S’kam lidhje as me ngjarjen e Peshkëpisë dhe asnjë çështje tjetër terroriste. Kjo është një çështje politike që po sorollat prej 25 vitesh”, tha Bejleri.

Pak para nisjes së seancës në Kolegjin Zgjedhor, Beleri ka qenë për rreth 3 orë në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u pyetur sërish për masakrën e Peshkëpisë, ku u ballafaqua me deklarimet e të tjerëve, që kanë lidhje më këtë ngjarje.

Dule mbron Bejlerin

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule përmes një deklarate për mediat ka marrë në mbrojtje Fredi Bejlerin, i cili është nën hetim për terrorizëm për sulmin e postës shqiptare në kufi me Greqinë në Gjirokastër në vitin 1994. Dule thotë se ‘riciklimi i kësaj çështjeje në shërbim të konsumit politik të ditës përmban elemente qe dëshmojnë se ka individë dhe grupime, në politikë dhe fatkeqësisht edhe në drejtësi që  synojnë të mbajnë të gjalla stereotipe dhe paragjykime – reminishenca të regjimit totalitar  ndaj anëtarëve të Minoritetit Etnik Grek, të krijojnë klimë represioni dhe pasigurie në radhët e tyre, të kultivojnë artificialisht frymë kundërvënieje etnike, duke cenuar bashkëjetesën harmonike’.

Dule kishte një mesazh edhe për drejtësinë. “Në mënyrë të veçantë i drejtohemi Drejtësisë që të mos bëhet pjesë e lojërave politike dhe të jetë institucionalisht më e vëmendshme ndaj gjuhës dhe akteve të urrejtjes etnike të manifestuara nga individë të veçantë deri edhe në grupime politike dhe media, ndaj të cilave deri tani ka demonstruar një tolerancë të papranueshme”, deklaroi ai.

Fredi Bejleri u mor në pyetje pak ditë më parë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi dosjen e masakrës së Peshkëpisë duke marrë në pyetje Fredi Bejlerin, i cili ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste greke në 10 prill 1994 në Gjirokastër. Bejleri është një personazh i njohur si për drejtësinë dhe politikën, ndërsa i dënuar më parë për nxitje të urrejtjes nuk u kualifikua nga KQZ për të kandiduar për t’u bërë qytetari i parë i Himarës, pasi preket nga ligji i dekriminalizimit.

Masakra e Peshkëpisë, hetime pas 25 vjetësh. Pyetet Bejleri dhe 8 të tjerë

Pas marrjes në pyetje të ish-kreut të OMONIA-s, Fredi Bejleri, Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje edhe 8 persona të tjerë lidhur me masakrën e Peshkëpisë.

Bejleri ishte ndër të parët që u pyet pas dyshimeve se ai ka qenë pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë të 10 prillit 1994, ndërkohë që sot janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe 8 persona të tjerë.

Vendimi  për rihapjen e dosjes në fjalë është bërë më 19 shkurt 2019. Kjo çështje është regjistruar për akuzën e “Veprimeve për qëllime terroriste” me pasojë vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Hetimet për masakrën e Peshkëpisë drejtohen nga prokurori, Eugen Beci, i cili i njoftoi dje akuzën Fredi Bejlerit, megjithëse ky i fundit tha për mediat se ditën e ngjarjes nuk ka qenë në Shqipëri, por në Qipro.

Mësohet se në total janë 20 persona që pritet të merren në pyetje nga prokuroria dhe oficerët e antiterrorit. Në vazhdën e veprimeve hetimore me urdhër të prokurorisë mësohet të jenë sekuestruar dhe kopje të disa dokumentarëve televizivë të kryer nga mediat shqiptare gjatë viteve të fundit. Gjithashtu është kërkuar që nëpërmjet vendimit balistik krahasues të bëhet krahasimi i gëzhojave të armëve të gjahut të fiksuara në procesverbalin e këqyrjes së datës 10.04.1994 me të dhënat e administruara në Policinë Shkencore.

Asokohet një skuadër paraushtarake greke e njohur si “Fronti Për Çlirim e Vorio Epirit”- MAVI, e përbërë nga 7 persona, hyri në territorin shqiptar dhe shkaktoi sulmin, ku mbetën të vdekur ushtari Arsen Gjini dhe komandanti i repartit Fatmir Shehu, por edhe katër persona të plagosur.

Dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja që erdhi nga territori grek. Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit te madh.

Sipas burimeve të prokurorisë ato janë shtënë nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm. 

Skip to toolbar