Një gjel ishte bërë arsye për rritjen e konflikteve mes dy familjeve Dakuci, aq sa kishin përfunduar edhe në gjykatë. Ngjarja e rëndë në familjen Dakuci, ku humbën jetën dy vëllezërit dhe nipi në Xibër të Klosit, i ka rrënjët e konflikti shumë më herët në kohë. Ngjarja tragjike e ndodhur të martën nxorri në pah se mosmarrëveshjet dhe konfliktet mes tyre familjeve Dakuci vijonin prej kohësh. Burim i këtyre konflikteve kanë qenë marrëdhëniet e acaruar me nusen e viktimës Kujtim Dakucit, Minushe Dakuci. Konfliktet e tyre kanë përfunduar në Gjykatën e Burrelit në vitin 2010, ku Minushja akuzonte për dhunë vjehrrin Liman Dakuci dhe kunatin Sali Dakuci. Shkak për dhunën është bërë një gjel.
Gjeli është qëlluar nga Sali Dakuci me pretendimin se po i ngordhte pulat. Sipas dëshmisë së Minushes ai e ka ofenduar dhe e ka qëlluar atë në krah. Më pas ka ardhur i vjehrri Liamn Dakuci dhe e ka gjuajtur me shkop Minushen. Kjo deklaratë është hedhur poshtë nga të dy të akuzuarit duke thënë se kanë vetëm sherr verbal, por jo fizik.
Edhe pse kjo ngjarje u mbyll nga gjykata me dhënien e pafajësisë mes dy të akuzuarve, në fakt konfliktet mes të dy familjeve kanë vijuar gjatë gjithë kohës, deri sa shkoi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku mbyllën sytë përgjithmonë dy vëllezërit Dakuci dhe nipi. Pas zënkave për një gardh që ndante tokat e tyre, Sali Dakuci ka qëlluar me kallashnikov të vëllanë Kujtim Dakuci dhe nipin e tij Flogret Dakuci. Më pas ka qëlluar veten.