Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e krimit të rëndë të ndodhur më 6 gusht në rrugën “Vaso Pasha”, ku një 17-vjeçar mbeti i plagosur për shkak të goditjeve me thikë. Sipas policisë, autori i ngjarjes së rëndë është një adoleshent, 16 vjeç, i cili është arrestuar nga uniformat blu.
Policia e Tiranës deklaroi se si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor dhe pas këqyrjes së pamjeve filmike të siguruara nga kamerat përreth ambientit ku ka ndodhur ngjarja, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit T.R, 16 vjeç, banues në Tiranë, si autor i dyshuar për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë ndaj 17-vjeçarit O. T.
Si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera për gjetjen e tij dhe bashkëpunimit me familjarët, mesditën e së shtunës, 16-vjeçari është vetëdorëzuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, ku dhe u bë ndalimi i tij.