Mashtrimi me biletat e autobusit, gjykata liron pronarët, lë në burg dy të tjerë

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 2 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të urbanëve, edhe pse prokuroria kërkoi burg për 7 prej tyre dhe detyrim paraqitje për një tjetër.

Masa “arrest me burg” iu dha Lulzim Allaraj, 47 vjeç dhe Aldi Duka, 39 vjeç, të dy me detyre dispeçer i një linjave të autobusit.

Gjithashtu iu dha masa “arrest shtëpie” pronarëve të autobusëve të përfshirë në këtë skandal, konkretisht Ferdinand Ibrahimit, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës dhe djalit të tij, Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar.  Masa “arrest shtëpie” iu dha edhe Klodiana Qatos, 42 vjeçe, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh dhe Fatos Vrapi 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “Alba Trans”, ku përfshihen linjat e Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës..

Gjykata e Tiranës vendosi “detyrim paraqitje” për bashkëshorten e Fatos Vrapit, Albana Vrapi, 51 vjeçe, administratore dhe ortake e shoqërisë së transportit “Alba Trans” dhe Erisa Vora, 33 vjeçe, administratore dhe ka në pronësi linjën e Porcelanit.

Gjatë seancës biznesmeni Ferdinand Ibrahimi ka mohuar se kishte dijeni për biletat e falsifikuara. Ai është shprehur se biletat që janë gjetur kanë qenë të vjetra dhe nuk ishin në përdorim. “Nuk kam dijeni për biletat e falsifikuara. Biletat e gjetura në makinë kanë qenë të vjetra e që nuk ishin në përdorim”  ka thënë Ferdinand Ibrahimi.

Ko në fakt bie në kundërshtim me atë që nxjerrin hetimet, pasi policia ra në gjurmën e këtij mashtrimi pikërisht nga biseda telefonike e tij me të birin, ku i kërkonte të asgjësonte dokumentet.  Biseda shërbeu si indicie kryesore për të rënë në gjurmët e stokut me 150 mijë biletave të falsifikuara.

Kjo bisedë është bërë pikërisht në momentin kur policia kishte rrethuar shtëpinë e Ferdinand Ibrahimit, duke i kërkuar këtij të fundit të shkonte me ta në polici. Telefonata është përgjuar dhe më pas policia ka ndaluar djalin e Ferdinandit, Anastasin, duke i kapur në makinën luksoze një valixhe blu të mbushur plot me bileta false, ndërsa aktiviteti kriminal llogaritet që i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 1 miliardë lekësh.

Më herët prokuroria kishte kërkuar masën ‘arrest me burg”  për 7 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të urbanëve, që u zbulua pak ditë më parë. Organi i akuzës kërkoi burg për Ferdinand Ibrahimin,  Anastas Ibrahimi, Fatos Vrapin, Erisa Vorën, Klodiana Qaton, Aldi Dukën dhe Lulzim Allarajn, ndërsa për Albana Vrapin u kërkua detyrim paraqitje.



Skip to toolbar