Autobusi përplaset me kamionin, 36 të vdekur

Të paktën 36 njerëz vdiqën dhe 36 të tjerë u plagosën në lindje të Kinës, ku një kamion u përplas me një autobus, thanë autoritetet kineze. Autbosi kishte 69 pasagjerë, kur u përplas me kamionin e mallrave në autostradë, në afërsi të provincës Jiangsu.

Hetimet e para dyshojnë se autobusit i është çarë njëra nga gomat, ajo në krahun e shoferit, duke bërë që mjeti të përplaset me kamionin. Për shkak të aksidentit, autostrada u bllokua për të paktën tetë orë, deri në përfundimin e operacionit të shpëtimit.

Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Kinë, ku zbatimi i rregullave të qarkullimit shpesh nuk respektohet. Sipas autoriteteve kineze, vetëm në vitin 2015, në Kinë humbën jetën 58 mijë persona nga aksidentet rrugore.

Shkelja e rregullave të qarkullimit është shkaku i 90% të aksidenteve që ndodhin në këtë shtet, ku për pasojë humbin jetën mijëra persona çdo vit.

Foto/ Shkodër, sulmohet autobusi i Tiranës, s`ka lojtarë të lënduar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas ndeshjes Vllaznia-Tirana, e vlefshme për javën e tretë të Superligës. Sipas asaj që raporton klubi bardheblu, pas përfundimit të ndeshjes, persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar autobusin e lojtarëve të Tiranës.

“Pas ndeshjes është goditur autobusi i skuadrës me gur, dëme në xham, por për fat të mirë pa probleme për lojtrët dhe stafin”, ka shkruar shkurt në një komunikatë për mediat klubi i Tiranës.

Ngjarja e rëndë ka ardhur fill pas fitores së skuadrës bardheblu, që mundi në “Loro Boriçi” ekipin e Vllaznisë me rezultatin 2-0.

Ndërkohë, gjatë lojës ndeshja është ndërprerë dy herë, pasi tifozët e skuadrës shkodrane kanë hedhur shishe uji dhe sende të forta në fushë, pasi kanë pasur pakënaqësi me arbitrin e ndeshjes.

Gjithashtu, në përfundim të takimit disa tifozë kanë tentuar të futen në fushën e lojës, por nuk janë lejuar nga forcat e sigurisë. Mësohet se forcat e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij incidenti, që fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Mashtrimi me biletat e autobusit, gjykata liron pronarët, lë në burg dy të tjerë

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 2 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të urbanëve, edhe pse prokuroria kërkoi burg për 7 prej tyre dhe detyrim paraqitje për një tjetër.

Masa “arrest me burg” iu dha Lulzim Allaraj, 47 vjeç dhe Aldi Duka, 39 vjeç, të dy me detyre dispeçer i një linjave të autobusit.

Gjithashtu iu dha masa “arrest shtëpie” pronarëve të autobusëve të përfshirë në këtë skandal, konkretisht Ferdinand Ibrahimit, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës dhe djalit të tij, Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar.  Masa “arrest shtëpie” iu dha edhe Klodiana Qatos, 42 vjeçe, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh dhe Fatos Vrapi 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “Alba Trans”, ku përfshihen linjat e Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës..

Gjykata e Tiranës vendosi “detyrim paraqitje” për bashkëshorten e Fatos Vrapit, Albana Vrapi, 51 vjeçe, administratore dhe ortake e shoqërisë së transportit “Alba Trans” dhe Erisa Vora, 33 vjeçe, administratore dhe ka në pronësi linjën e Porcelanit.

Gjatë seancës biznesmeni Ferdinand Ibrahimi ka mohuar se kishte dijeni për biletat e falsifikuara. Ai është shprehur se biletat që janë gjetur kanë qenë të vjetra dhe nuk ishin në përdorim. “Nuk kam dijeni për biletat e falsifikuara. Biletat e gjetura në makinë kanë qenë të vjetra e që nuk ishin në përdorim”  ka thënë Ferdinand Ibrahimi.

Ko në fakt bie në kundërshtim me atë që nxjerrin hetimet, pasi policia ra në gjurmën e këtij mashtrimi pikërisht nga biseda telefonike e tij me të birin, ku i kërkonte të asgjësonte dokumentet.  Biseda shërbeu si indicie kryesore për të rënë në gjurmët e stokut me 150 mijë biletave të falsifikuara.

Kjo bisedë është bërë pikërisht në momentin kur policia kishte rrethuar shtëpinë e Ferdinand Ibrahimit, duke i kërkuar këtij të fundit të shkonte me ta në polici. Telefonata është përgjuar dhe më pas policia ka ndaluar djalin e Ferdinandit, Anastasin, duke i kapur në makinën luksoze një valixhe blu të mbushur plot me bileta false, ndërsa aktiviteti kriminal llogaritet që i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 1 miliardë lekësh.

Më herët prokuroria kishte kërkuar masën ‘arrest me burg”  për 7 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të urbanëve, që u zbulua pak ditë më parë. Organi i akuzës kërkoi burg për Ferdinand Ibrahimin,  Anastas Ibrahimi, Fatos Vrapin, Erisa Vorën, Klodiana Qaton, Aldi Dukën dhe Lulzim Allarajn, ndërsa për Albana Vrapin u kërkua detyrim paraqitje.

Sulmi ndaj autobusit në Serbi, reagon qeveria: Jemi në kontakt me BE

Gjatë mbrëmjes së të shtunës një autobus i Kosovës i mbushur me udhëtarë shqiptarë është sulmuar me gurë në Krushevac të Serbisë. Për këtë incident ka reaguar këshilltari i zv/kryeministrit të Kosovës Jetlir Zyberaj, i cili u bëri thirrje qytetarëve të vendit të shmangin udhëtimet që kalojnë përmes territorit të Serbisë.

Ndërkohë, ai nuk la pa sulmuar dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç për retorikën e papranueshme dhe propagandën kundër Kosovës, të cilat çojnë në realizimin e akteve vandalizuese.

“Përderisa Ministri Daçiç si ish-zëdhënës i Millosheviçit  bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garanci nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj.

I bllokoi rrugën autobusi, gjuan në ajër me armë, policia e shpall në kërkim

Një person ka gjuajtur me armë zjarri në ajër në fshatin Topojë të Fierit, pas një debati verbal që ka pasur me një shofer autobusi. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pasditen e të martës rreth orës 18:30, kur një autobus ka qëndruar në rrugë.

Shoferi i një mjeti tjetër i ka kërkuar drejtuesit të autobusit të hap rrugën, duke zhvilluar një debat për disa çaste me të. Pas debatit, shoferi i mjetit privat, ka hyrë në makinë ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në ajër.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur të plagosur, ndërkohë që është lajmëruar policia. Sipas informacionit paraprak shpërndarë për mediat, policia e Fierit ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim. Grupi hetimor, sipas uniformave Blu po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autobusi u dogj nga vapa! Kompania tenton të fshehë defektin

Një autobus i linjës Kosovë-Shqipëri ka shpërthyer në flakë pasditen e së hënës në rrugën e Kombit në afërsi të Repsit në Mirëditë.

Sipas të dhënave të para dyshohet e zjarri është shkaktuar nga një defekt në sistemin elektrik. Një shkëndijë ka shkaktuar më tej zjarrin në motorr. Por ndryshe janë shprehur përfaqësuesit e kompanisë.

Agjencia turistike “Ariani” nga Mitrovica, autobusi i së cilës është djegur teksa po udhëtonte nga Durrësi për në Mitrovicë bën me dije se nuk ka pasur asnjë defekt dhe se zjarri ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta.

“Në orët e pasdites në autostradën e “Kombit” ka marrë flakë autobusi i kompanisë tonë i linjës Durrës-Mitrovicë, por që fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka pasur pasoja tjera. Të gjithë pasagjerët dhe stafi i kompanisë janë shëndoshe e mirë, pasi nuk kanë pësuar asnjë dëmtim të vetëm. Për hir të transparencës ju njoftojmë se autobusi ka qenë në gjendje të rregullt teknike, mirëpo si duket deri te ky dëmtim ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta,”-thuhet në reagimin e kompanisë së transportit.

Autobusi bllokon rrugën për disa orë, trafiku bëhet makth për pushuesit në Vlorë

Pasditen e të dielës, qindra mjete janë bllokuar në aksin rrugor Vlorë-Orikum dhe anasjelltas, duke krijuar rradhë të gjata për disa orë.

Shkak i trafikut të rënduar është bërë bllokimi i një autobusi në vendin e njohur “Kalaja” në Vlorë, i cili ka bllokuar tërësisht rrugën dhe si rrjedhojë është krijuar trafik i rënduar.

Situata është përkeqësuar më shumë edhe për shkak të fundjavës dhe fluksit të lartë të pushuesve që kishin zgjedhur jugun për të kaluar të dielën. Si në kthim, ashtu dhe në ikje, radha e mjeteve ka qenë kilometrike.

Është dashur ndërhyrja e policisë dhe mjeteve të rënda, për të bërë të mundur lëvizjen e autobusit, (ende nuk raportohet nëse ka pasur defekt), duke zhbllokuar rrugën.

Megjithatë, situata nuk është normalizuar menjëherë, pasi rruga e ngushtë dhe radhët e gjata të mjeteve, kanë bërë që “makthi” të vijojë deri në orët e vona të pasdites.

Skip to toolbar