Një çift të moshuarish në qytetin e Korçës janë dhunuar dhe më pas janë grabitur mbrëmjen e së hënës nga dy persona me armë dhe maska. Policia e Korçës njofton se dy personat e maskuar, ende të paidentifikuar i kanë marrë çiftit të moshuar 500 mijë lekë të vjetra.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 të mbrëmjes, në lagjen nr.3 të qytetit të Korçës. Personat e maskuar e të armatosur me pistoletë kanë hyrë në shtëpinë e Foni Rrapos rreth 85 vjeç dhe bashkëshortes së tij, Afërdita të cilët ishin duke ngrënë darkë.
Nën presionin psikologjik dhe të dhunës, dy personat ende të pa identifikuar, kanë detyruar të moshuarit që të jepnin paratë që kishin në shtëpi.
Grabitësit kanë goditur me qytën e pistoletës në kokë, duar dhe krahë të moshuarit dhe pasi kanë marrë shumën e parave e kanë lidhur çiftin pas krevatit dhe më pas janë larguar.
Fatmirësisht të moshuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa policia po heton për ngjarjen.