Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit njofton të gjithë maturantët se aplikimet për plotësimin e formularit A1 nisin në fund të muajit maj.
Të gjithë ata të rinj që nuk arritën të shfrytëzonin fazën e parë të aplikimit kanë një mundësi të dytë. Ata do të kenë 5 ditë në dispozicion, nga data 27 maj deri në datën 31 maj, për të plotësuar formularin.
Aplikimet do bëhen në rrugë elektronike në ambientet e shkollës. Në njoftimin e ministrisë sqarohet se:
“Njoftohen të gjithë maturantët/ kandidatët që nuk kanë aplikuar me formularin A1/ A1Z në portalin Matura Shtetërore 2019, se ky portal dhe portali e-albania do të hapen për aplikime nga data 27 maj deri në 31 maj 2019, nga ora 09:00 deri në orën 16:00.
Plotësimi online i formularit bëhet në shkollat ku maturantët apo kandidatët kanë kryer arsimin e mesën të lartë, ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është e mbyllur”, shkruhet në njoftimin e ministrisë.