Ceremonia zyrtare e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joani, do të zhvillohet sot, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë fton të gjithë besimtarët të marrin pjesë sot, më 29 mars 2025, ora 11:00 në Ceremoninë e Fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joanit.
Ndërsa të dielën, më 30 mars 2025 mbahet Liturgjia e parë të Kryepiskopit Joan, me pjesëmarrjen e Sinodit të Shenjtë dhe shumë delegacioneve nga Kishat e tjera Ortodokse.
Shërbesat do të zhvillohen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë.
Qindra besimtarë pritet të vijnë në kishën qendrore paradite, për të ndjekur nga afër të parën ceremoni të uljes së një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë të kishës ortodokse shqiptare.
Në ceremoni do të marrin pjesë të përfaqësues të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe të ftuar nga 13 Kishat Ortodokse të botës.
Joan Pelushi u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas.
PROFIL/ Një kryepeshkop shqiptar, Joan Pelushi u zgjodh mitropoliti i Korçës në 1998
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë me 2 janar 1956.
Në rininë e tij të hershme, në kohën e regjimit komunist, u pagëzua fshehurazi nga prifti Kozma Qirio më vonë peshkopi i Apollonisë duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme.
Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e reabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale.
Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria drejt Bostonit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku u diplomua për teologji. Pas diplomimit kthehet në Shqipëri dhe nisi punën si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Një vit më pas , shkurtin 1994 mori titullin dhjakon dhe pak muaj më pas prift.
Në 1995 kthehet sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për studime të mëtejshme të cilat i përfundoi me rezultate te larta dy vite më pas në një master të avancuar të teologjisë.
Në vitin 1996 u ngrit në rangun e arkimandritit. Me tu kthyer në Shqipëri u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në 1998, derisa u emërua Mitropolit i Korçës.
Ai ka përgatitur tekste, ka përkthyer libra, dhe ka botuar shumë artikuj në gazeta, revista dhe periodikë studimorë të huaj dhe të vendit. Përveç gjuhës shqipe, zotëron anglishten, frëngjishten italishten, greqishten dhe ka njohuri në latinishten dhe hebraisht.
Për kontributin e dhënë në shumë fusha në Korçë në vitin 2003 është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi i Qarkut Korçë”
Si personalitet i shquar i botës shpirtërore dhe fetare në vitin 2018, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë i jep titullin “Doctor Honoris Causa”
Një vit më pas vlerësohet me certifikatë mirënjohjeje dhe nga Bashkia e Tiranës.
Pas rreth 32 vitesh bashkëpunëtor i ngushtë i kryepeshkopit Anastas, 27 prej të cilave si Mitropolit i Korçës, hirësia e tij Joan Pelushi zgjidhet Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.