Mbahet sot në Shkup Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor

AKTUALITET


Mbahet sot (22 janar) në Shkup Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Të pranishëm në këtë samit janë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas programit, para nisjes së takimit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski si dhe pjesëmarrësit zyrtarë, sikurse Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, Kryeministër i Malit të Zi Milojko Spajiç dhe Ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, Xhejms O’Brajen (James O’Brien), do të kenë një deklaratë për media.

Mbrëmjen e djeshme (21 janar), liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të ambasadës amerikane e të BE-së, zhvilluar një darkë pune.

Kryeministri Kovaçevski deklaroi pak para takimit të mbrëmshëm se Ballkani Perëndimor dhe BE-ja kanë nevojë për unitet e stabilitet.

Të gjithë ne – si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Evropë – kemi nevojë për unitet dhe stabilitet. Në prag të takimit të nesërm të liderit në Shkup, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian, sonte në një atmosferë miqësore me liderët e Ballkanit Perëndimor konfirmuam qëndrimet tona për integrimin e rajonit në BE”, shkroi ai në rrjetin social X.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është takuar ditën e djeshme me kryeministrat Rama e Kurti, ndërsa është shprehur se plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura si dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit.



Skip to toolbar