Mbajti peng dy fëmijët e “alarmoi” lagjen, Aleks Marku kishte konflikte me të shoqen

AKTUALITET


Të shtënat e kallashnikovit për disa orë pas mesnate ‘terrorizuan’ banorët e një lagjeje te “Shkëmbi i Kavajës”, por jo vetëm. Autori 40 vjeçar nga Lezha Aleks Marku, po mbante peng dy fëmijët e tij të mitur brenda një banese me qira.

Përpos pengmarrjes, ai ka zbrazur plot 18 fishekë në prani të tyre. Fatmirësisht, me ndërhyrjen e forcave “RENEA” u bë e mundur prangosja e tij.

Motivi? Siç raportohet nga gazetari i Klan News Besart Bajraktaraj, Marku ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Mësohet se ai ka konflikte me bashkëshorten, e cila ka marrë urdhër mbrojtjeje prej tij.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit. Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës“, bën me dije Policia.



Skip to toolbar