Mbështetja për marrëveshjen e PS me grupin e Berishës? Ambasadori britanik: Nuk e shoh si kontradiktore, duam progres

Më të fundit


Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith nuk e sheh si kontradiktore mbështetjen që Britania e Madhe dha për marrëveshjen mes Partisë Socialiste me grupin e Sali Berishës, për rikthimin e normalitetit në Kuvend, teksa ky i fundit është shpallur non grata nga qeveria britanike.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Smith u shpreh se Britania e Madhe po zbaton parime paralele. Sipas tij, Britania e Madhe kërkon të shohë debat dhe diskutim, por edhe progres.

Pyetje: Ju folët në fund të pjesës së parë, për atë që e quani presioni pozitiv që ka ushtruar Britania e Madhe, miqtë tanë ndërkombëtarë për t’i mbledhur së bashku politikanët dhe për të rikthyer normalitetin e jetës politike në vend. Besoj, këtu i referoheni parlamentit, që është edhe arena kryesore politike e saj, për këtë dakordësinë e famshme të këtij viti, shumë vetë kanë dilema. Ishte një dakordësi që mori bekimin e SHBA dhe Britanisë, por nuk e përjashtonte Sali Berishën dhe grupin e tij. Pra, ju nga njëra anë shpallni non grata një person, për ato motive që janë bërë publike, por nga ana tjetër për motive thuajse të ngjashme, pranoni që ai të vijojë të japë kontribut në jetën e vendit. Keni një shpjegim për këtë dualizëm?

Për këtë kontradiktë logjike në vetvete. Pra, një person që ju e shpallni non grata, më pas e ftoni në mënyrë indirekte atë dhe grupin e tij të rikthejë normalitetin në Kuvend.

Alastair King-Smith: Këto gjëra nuk i shoh si kontradiktore. Ne po zbatojmë parime paralele. Parimi i përgjithshëm është ai i demokracisë dhe lidhet me mënyrën si ne punojmë si partner i Shqipërisë për të inkurajuar dhe mbështetur aspiratat e shqiptarëve për demokraci, për përparim ekonomik, për siguri. Britania dëshiron të jetë partner shumë i fuqishëm për të gjitha këto, si dhe për drejtësinë dhe fusha të tjera. Por, sa i përket demokracisë dhe politikës ka edhe aspekte të tjera. Kemi dëshirë të shohim debat dhe diskutim të efektshëm të politikave qeveritare, të legjislacionit, çka është e drejtë për qytetarët, dhe të gjitha këto kanë nevojë për procese demokratike, për zgjedhje, për Parlament dhe për debat të përshtatshëm në parlament. Ky pra është parimi udhëheqës. Paralelisht me të kemi dhe parimet e llogaridhënies dhe është mëse e drejtë që janë marrë masa për t’i kërkuar llogari individëve që mund të jenë përfshirë në kriminalitet ose korrupsion. Shqipëria do të mbajë së shpejti zgjedhje shumë të rëndësishme, kështu që doemos dëshirojmë të shohim vazhdimësi progresi, me qëllim që sa më pak individë me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin të fitojnë influencë brenda vendit, apo të shkaktojnë dëme gjetkë në Mbretërinë e Bashkuar apo Evropë. Duhet të ç’bëjmë këtë lidhje ndërmjet politikës dhe korrupsionit dhe kriminalitetit. Mbretëria e Bashkuar do të jetë mik i fuqishëm i qytetarëve shqiptarë për ta arritur këtë./abcnews.al



Skip to toolbar