Mbetën pa shtëpi nga tërmeti, bashkia bonus qiraje për 368 familje

AKTUALITET


Një ditë pasi miratoi listën me 554 emra, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të premten listën me 368 familje, që do të përfitojnë bonusin e qirasë. Edhe këto familje do të marrin këtë bonus, pasi shtëpitë e tyre u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit. Të gjitha këtyre familjeve bonusi i qirasë do t’u kalojë në llogaritë e tyre bankare. Gjatë fjalës së tij në Këshillin Bashkiak, Erion Veliaj u shpreh se shumica e shkollave nuk kanë dëmtime. Ai tha se ato janë inspektuar nga 4 grupe ekspertësh, ndaj sipas tij në 90 përqind të tyre, shkollat janë gati për të rifilluar mësimin.

Kush mendoni se duhet t`i riparojë pallatet e dëmtuara nga tërmeti?

 “Kemi tre ditë që kemi hapur çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, çdo gjë ka vajtur fjolle. Drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve e kanë menaxhuar edhe situatën psikologjike, por edhe procesin e rifillimit në kopshte dhe çerdhe me shumë qetësi dhe pa panik. Ndaj do të doja t’i kërkoja dhe drejtorëve të shkollave të njëjtën gjë. Ne do të bëjmë një takim të dielën me gjithë drejtorët e shkollave, kështu që do ta dinë ekzaktësisht të hënën të gjithë shkollat që do hapen me akt konstatimi. Të gjitha shkollat që do mbyllen ose do të demolohen, siç është rasti i shkollës në Pezë, janë shkolla shumë të vogla, në Zallbastar apo në zona shumë të largëta periferike ku sigurisht do të bëhet akomodimi te shkolla më e afërt apo në shumë pak shkolla të kryeqytetit ku ne për meremetime do të duhet që të punojmë ndoshta edhe një 10 ditësh dhe ti hapim për vit të ri. Pra për 10 ditë shumë pak shkolla mund të zhvendosen. Por 90 e ca për qind e shkollave nuk kanë asnjë problem dhe do të vazhdojnë normalisht”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu tha se të gjitha shkollat që janë inspektuar në mënyrën më të imtësishme nga disa grupe specialistësh dhe inxhinierësh në mënyrë që të merret një mendim më i plotë dhe i specializuar.

“Do i lëmë Luljeta Bozon dhe Agron Hysnelliun të bëjnë inxhinierin, ne të bëjmë kryetarin e bashkisë, drejtori i shkollës të bëj drejtorin e shkollës, por jo të gjithë me të gjitha. Kështu i kërkoj me shumë dashamirësi drejtorëve të shkollave, unë nuk jam inxhinieri, janë ata, do marrin akt-konstatimin e Institutit të Ndërtimit. Nëse një pallat e kemi parë maksimumi 3 herë, pra me ekspertë të bashkisë, të Institutit të Ndërtimit dhe të huaj, shkollat i kemi parë me 4 palë. Pikërisht se e kemi me shumë shumë prioritet sigurinë e shkollave. Shkollat e reja nuk kemi pasur asnjë problem, në shkollat e rikonstruktura ka pasur problem pjesa e vjetër dhe jo ajo e re. Kurse në disa shkolla rurale kemi marrë vendim drastik për prishje totale”, tha Veliaj.



Skip to toolbar