Mbi 500 mijë euro, apartament dhe makinë! Prokuroria: Konfiskoni pasuritë e Alda Klosit

AKTUALITET


Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të ish-zyrtares A.K.

Bëhet fjalë për shuma mbi 500.000 euro deri tek apartamenti, garazhi e makina.


Sipas prokurorisë, kjo pasuri është krijuar gjatë aktivitetit kriminal.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon konfiskimin e pasurive të shtetases A.K. pasi u vërtetua që pasuria objekt kërkese për konfiskim, nuk ka prejardhje të ligjshme dhe u provua se kjo pasuri është krijuar gjatë aktivitetit kriminal.

Më datë 27.12.2022, kjo prokurori, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.9220, për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal. Nga aktet e hetimit rezultoi se më datë 15.12.2022, rreth orës 14:10, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, se tek pallati “Orion” është vjedhur banesa e shtetases A. K.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e R.D. dhe H.D. (autorë të vjedhjes), më datë 06.01.2023 janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: shuma prej 58.150 (pesëdhjetë e tetëmijë e njëqind e pesëdhjetë) euro. Ndërsa më datë 07.01.2023, ora 19.30, në banesën e tyre nga policia gjyqësore janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: Shuma prej 404.800 (katërqind e katërmijë e teteqind).

Hetimi penal vërtetoi se paratë dhe valuta euro/dollarë të sekuestruara në banesën e shtetasve R.D dhe H. D., janë vjedhur tek banesa e shtetases A.K.

Gjithashtu, ndaj të pandehurës A. K., është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal dhe është dërguar kërkesa për gjykim me datë 09.10.2023.

Sa më sipër, organi i prokurorisë konkludon se shuma e parave të sekuestruara në banesën e R. D dhe apartamenti/garazhi i blerë në vitin 2019 nga ish – bashkëshorti i saj A.K., janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI. Këto pasuri nuk janë të justifikuara, pasi nuk mbulohen me të ardhura të ligjshme dhe derisa nuk janë të deklaruara, nuk provohet ligjshmëria e tyre.

Në këto kushte, brenda afatit gjashtë mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm,Tiranë, paraqet kërkesën për konfiskim dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:

  • Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikanë, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në bankën “Credins Bank”, sipas mandateve përkatëse datë 10.01.2023;
  • Apartament me sipërfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
  • Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572-G 16 ZK 8210, Vol 42,Fq 74 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
  • Autoveturë Toyota Rav 4, me targa AA170ZY, Nr. Shasie JTMBB31V50D109772, në pronësi të shtetases A.K.

Ndërkohë, Alda Klosi ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga burgu. Pas lirimit do të qëndroje në arrest shtëpie për akuzën e dytë të pastrimit të parave derisa prokuroria të vendosë pas afatit që i la gjykata.

Gjykata e Tiranës, më 19 mars 2024, dënoi me 2 vite e 6 muaj burg ish-zyrtaren e ministrisë së Financave Alda Klosi e akuzuar për fshehje të pasurisë. Klosi përfitoi ulje me 1/3, duke u dënuar përfundimit me 20 muaj burg.

Në tetor të 2022 Alda Klosi iu drejtua policisë së Tiranës ku deklaroi se ishin vjedhur mbi 120 mijë euro në banesën e saj, para që i kishte marrë borxh për kurimin e xhaxhait të saj në Amerikë. Pas arrestimit të Rozeta dhe Havier Dobit, policia arriti që të gjente në tubin e aspiratorit në banesën e tyre afro 500 mijë euro.

Gjykata u tregua më e ashpër me pastruesen Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havierin. Togat e zeza dhanë dënim më të ashpër nga ai që kërkoi prokuroria, konkretisht 7 vite burg për pastruesen e cila u dënua me 4.8 vite me gjykim te shkurtuar. Ndërsa për të birin u dhanë 5 vite, por përfundimisht me ulje të dënimit ai do të vuajë vetëm 3.4 vite.




Skip to toolbar