Mbi 81 milionë euro grant nga BE për autobusë elektrikë në Tiranë

EKONOMI


Me qëllim rritjen e shpejtësisë në qarkullim të autobusëve, por dhe reduktimin e gazeve të dëmshme për mjedisin, qeveria gjermane dhe Bashkimi Europian do të financojnë projektin për transportin e gjelbër në kryeqytet.

Fillimisht, projekti është parashikuar të zbatohet në tre linjat më të mbingarkuara të transportit në qytetin e Tiranës (Unaza, Tirana e Re, Kombinat-Kinostudio).

Projekti përfshin zbatimin e një sistemi tranziti të shpejtë me autobus që përdorin bateri-elektrikë me synim reduktimin me 20% të kohës së udhëtimit si dhe rritjen e shpejtësisë së tyre.

Qarkullimi në Tiranë nëpërmjet linjave urbane shpeshherë është ngritur si shqetësim nga qytetarët për cilësinë e tyre dhe vonesat.

81.2 milionë euro është shuma që do të ofrohet në formë granti. Marrëveshja  për transportin e gjelbër u nënshkrua mes Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtoreshës së KFW gjermane në Shqipëri, Brit Horschke.

Kostoja totale e parashikuar e projektit është 110.37 milionë euro. Bashkia e Tiranës duhet të kontribuojë me 29.17 milionë euro.



Skip to toolbar