Nga Mero Baze
Vizita e Sali Berishës në Presidencë ishte e panevojshme për Ilir Metën. Ai ka më shumë se një vit që e ka atë këshilltar të krizës që ka prodhuar dhe bashkëluftëtar të betejës kundër reformës në drejtësi. Ai është ideatori dhe mbështetësi i djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, mbështetës i dhunës në rrugë dhe teorisë së revolucionit që do të tojë me dhunë. Ai është mbështetës i përpjekjes për puç kushtetues të Ilir Metës dhe inkurajuesi i fundit i klithmave për vetëflijim të tij. Ka një jetë të tërë që fuqinë politike e mbështet tek përgjakja dhe viktimat.
Ndaj Ilir Meta mund ta kursente lodhjen e tij fizike deri në Presidencë, se është dhe moshë e thyer, vetëm që të na tregojë se u këshillua me një ish- president. Për herë të fundit, kur ai ka dalë nga dera e asaj godine, Shqipëria ishte e zhytur në gjak dhe me tre mijë të vrarë, dhe pas 22 vjetësh, ende nuk e ka marrë veten. Nga ana tjetër, ky takim është i panevojshëm dhe për Partinë Demokratike, pasi i krijon një hutim dhe çoroditje, se kë ka kalë beteje Sali Berisha në këtë histori. Kryetari formal i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po i qëndron larg kësaj historie.
Ai po merret kryesisht me të ardhmen e bujqësisë dhe blegtorisë në vend dhe mundësinë e bujqësisë digitale, kur të vijnë në pushtet. Niveli i angazhimit të tij politik, qetësia me të cilën organizon takime nëpër fshatra dhe njëlloj ngopje me gjumë që i vërehet në fytyrë, është në kontrast të thellë me nervat e shkatërruara të Ilir Metës dhe Sali Berishës, me retorikën e tyre staliniste kundër faktorit perëndimor në Shqipëri dhe thirrjet për rrëmbim armësh, nën fantazmën e fundit të Allendes. Kjo në një farë mënyre e çorodit Partinë Demokratike, pasi tani është më e paqartë se kurrë, se nga duhet shkuar, nga pushka ku e thërret Berisha e Meta, apo kazma e lopata, ku e thërret Basha.
Për ata që duan luftë, Berisha duket se u ka gjetur një kryetar të ri opozitarëve, dhe ai është Ilir Meta, por nuk ka njoftim që Basha ka ikur. Ai vazhdon të jetë kryetar dhe po merret me reformën zgjedhore dhe reformën në bujqësi. Pastaj do të hyjë në zgjedhje. Së fundmi, shfaqja e fantazmës së Berishës në Presidencë e bën dhe më të vendosur faktorin perëndimor t’i rezistojë retorikës agresive të tyre.
Nën thirrjet e sotme për të mbrojtur Presidencën me trupat e tyre dhe me gjak po qe nevoja, Berisha nuk është se mund të prishë ndonjë punë më shumë se sa ka prishur, me SHBA dhe vendet e tjera perëndimore, ndërsa Ilir Meta thjesht do t’i përgjigjet ndonjë telefonate të vështirë, për t’i treguar se Perëndimi nuk ka axhendën e tij.
Fantazma e Sali Berishës nuk tremb dot më askënd në Presidencë. Ajo mund t’i kujtojë shumëkujt luftën, por ngjall neveri ndaj luftënxitësit, mund të kujtojë të vrarët e tij, por zgjon urrejtje ndaj tij, mund të kujtojë që dikur një president dogji Shqipërinë për të shpëtuar vetë, por nuk na bind dot, se tani do djegë Ilir Metën për të shëptuar vetë përsëri. Bashkë do ikin.