Valdrin Pjetri drejtor që në kohën e Berishës, PD u kujtua tani (për të shpëtuar Voltanën)

AKTUALITET


Të martën Partia Demokratike publikoi disa dokumente, që sipas Selisë Blu, tregojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali. Kryebashkiaku i ri i Shkodrës, zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste në 30 qershor, i ka mohuar akuzat. Për rastin në fjalë ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama, i cili është distancuar duke u shprehur se “Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara derisa të zbulohet e vërteta”.


Por, megjithëse PD i publikoi vetëm këtë 13 gusht dokumentet që akuzojnë Valdrin Pjetrin se ka fshehur të dhënat për të shkuarën e tij, Selia Blu nuk e njeh sot kryebashkiakun e ri të Shkodrës. Valdrin Pjetri është bërë pjesë e politikës në vitin 2010, kohë kur në qeveri ishte PD e drejtuar nga Berisha.

Sipas jetëshkrimit të tij, publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Pronave, mësohet se Pjetri në vitin 2010 mori detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Këtë fakt e citonte dhe Zëri i Amerikës në një shkrim të publikuar gjatë pasdites të së martës.


Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Më pas, në vitin 2014-2015, Valdrin Pjetri ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes. 2014-2017, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes. 2015-2018 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes. Janar 2018 – maj 2018 Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Pra, Valdrin Pjetri nuk është rastësisht në politikë, madje ai ka mbajtur poste të larta drejtuese, si në administratën e qeverisë Berisha dhe të Ramës. Por publikimi i dokumenteve për dënimin e tij nga PD, vijnë në një moment kur Selia Blu është futur dhe më thellë në krizën që krijoi vetë, duke refuzuar çdo mundësi dialogu me qeverinë, dhe humbur çdo pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

PD duket i “shpëtoi” përkohësisht zyrën Voltana Ademit në Shkodër, pasi është shtyrë konstituimi i këshillit bashkiak deri në zbardhjen zyrtare të vërtetës për Valdrin Pjetrin. Por njëkohësisht, në media, lëvizja e PD po shihet edhe si një mundësi për zgjidhjen e krizës, duke përsëritur zgjedhjet në Shkodër dhe jo vetëm.