Mbledhja e Këshillit të Ministrave/ Hasani: Miratuam hapjen e tre ambasadave të reja, forcohet edhe më shumë pasaporta jonë në botë

AKTUALITET


Shqipëria do të hapë tre ambasada të reja në tre shtete të botës, në Kenia, Indi dhe Indonezi. Vendimi është marrë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ndërsa njoftoi lajmin, ministri i Jashtëm Igli Hasani është shprehur se kjo do të forcojë edhe më shumë pasaportën shqiptare në botë.

Postimi i ministrit Hasani:

🇦🇱 Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë.

Në Këshillin e Ministrave, sot miratuam hapjen e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

✅ Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.

Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja.

🦅 Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.



Skip to toolbar