Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta do të mblidhet të martën (sot) në orën 12.00 ku në axhendën e punimeve është parashikuar miratimi i planit hetimor në lidhje me shkeljet kushtetuese që ka kryer presidenti.
Komisioni gjithashtu do të miratojë dhe listën e dëshmitarëve të cilët do të thirren në seanca dëgjimore në komision për t’u pyetur rreth shkeljeve kushtetuese të presidentit dhe pasojat që sollën këto akte të tij.
Në listën e personave që do të thirren për të folur në Komisionin Hetimor është edhe emri i Presidentit, Meta. Është detyrim ligjor që Komisioni Hetimor të thërrasë në seancë dëgjimore kreun e shtetit, i cili duhet të argumentojë marrjen e këtyre vendimeve që sipas ligjvënësve janë në shkelje të kushtetutës. Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Presidentit, nëse do të marrë pjesë ose jo në mbledhjen e Komisionit Hetimor. Në mbledhjen e së martës të Komisionit hetimor pritet të njoftohet edhe dita se kur do të ftohet presidenti për t’u dëgjuar në kuvend. Ndërkohë që pjesë e listës së dëshmitarëve janë përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetari, nënkryetari sekretarët apo anëtarë të KZAZ-ve, sidomos ata të cilët ranë pre e sulmeve të protestuesve të opozitës, pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga kreu i shtetit; përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme; përfaqësues të Autoritetit të Medias Audiovizive si dhe kryetar të partive politike që morën pjesë në zgjedhje.
Gjatë këtyre ditëve anëtarët e Komisionit Hetimor pritet të zhvillojnë edhe një takim me përfaqësues të Komisionit të Venecias të cilët pritet të vijnë së shpejti në Tiranë në një mision faktmbledhës në lidhje me kërkesën e kuvendit për shkarkimin e Metës. Pjesë e takimeve të tyre do të jenë presidenti, kryeministri, kryetari i opozitës, si dhe anëtarët e Komisionit Hetimor. Komisioni i Venecias do të japë një opinion paraprak në mesin e muajit shtator në lidhje me shkarkimin e presidentit dhe një opinion të plotë dhe përfundimtar në mbledhjen e parë që do të zhvillojë në muajin tetor. Të gjitha gjasat janë që deri në mesin e tetorit shkarkimi i Metës të jetë bërë fakt i kryer.
Ligjvënësit e akuzojnë presidentin se ka shkelur Kushtetutën me vendimin e tij për ta anuluar zhvillimin e zgjedhjeve në datën 30 qershor. Një akt ky i ndërmarrë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta i njeh presidentit të Republikës, i cili ka të drejtë të dekretojë datën e zgjedhjeve por jo ta anulojë atë. Përmes këtij akti, në raportin e Komisionit të Ligjeve të miratuar nga Kuvendi, shkruhet se presidenti synoi të destabilizonte vendin. Në fakt, kjo rezultoi e vërtetë sepse dekreti i presidentit shkaktoi kaos dhe protesta në disa bashki të vendit pas zgjedhjeve lokale, ku disa kryebashkiakë të djathtë refuzuan të linin zyrat. Të gjitha këto janë pjesë e procesit hetimor të ndërmarrë nga Komisioni Hetimor parlamentar dhe pritet të jenë pjesë e raportit përfundimtar që ky komision do t’i dorëzojë kuvendit për shkarkimin e presidentit.