Me dhimbje barku e rrahje zemre, në gjendje të rëndë nxënësja e helmuar në Bulqizë

AKTUALITET


Një nga nxënëset e helmuara në Shupenzë, është në gjendje të rëndë. Ajo u transportua të enjten me helikopter drejt Spitalit në Tiranë. Ndërsa infermierja e qendrës spitalore në Shupenzë e cila ka qenë e para që i ka parë maturantët thotë se ata kishin dhimbje koke, dhimbje barku, të vjella dhe rrahje të forta të zemrës.

“Fëmijët erdhën tre të parët këtu, kishin probleme me frymëmarrje kishin dhimbje koke, të përziera. Ia matëm tensionin. Kishin rrahje zemra të larta. I nisëm në Peshkopi. Erdhën edhe katër të tjera ato i çuam në Bulqizë. Filluam mjekimin, njëra ishte më keq. Erdhën edhe të tjera. Nëna e njërës prej tyre tha se kishte dhimbje barku edhe të vjella. Kanë ardhur këtu edhe pasi kanë shkuar tek shtëpia.

Kanë ardhur të tjerë edhe pas 9 të parëve. Fëmijët thanë se pasi ishin futur në klasë pas pushimit, ishin ndjerë keq. Mësuesja kishte qenë duke bërë mësim dhe i kanë kërkuar ta dalin jashtë por ajo nuk i kishte nxjerrë se kanë rregullat e veta. Kanë qëndruar për një orë brenda. Dikush thoshte që i dhimbte koka, dikush thoshte se i vinte për të vjellë. Derisa të dalin përgjigjet e analizave klasa do të qëndrojë e mbyllur”, është shprehur infermierja.

Një ditë më herët maturantët të shkollës  “Rifat Manjani” në Shupenzë të Bulqizës u helmuan nga një lëndë e gaztë. Ata u dërguan në spitalet e Dibrës dhe Bulqizës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa një vajzë e cila shfaqi komplikacione më të shumta u dërgua me helikopter drejt Tiranës.

Policia njoftoi të enjten se nxënësit kishin luajtur në klasë me një sprajt aromatik, i cili kishte shkaktuar probleme shëndetësore tek nxënësit. ISHSH në një njoftim për mediat shprehet se lënda kimike është shpërndarë në ajër dhe ka sjellë probleme tek nxënësit. Nuk dihet ende se çfarë lloj lënde është përdorur, ndërsa klasa është mbyllur derisa të dalin analizat e lëndës së shpërndarë.



Skip to toolbar