“Më shumë shkëmbime tregtare me Turqinë”, Rama: Biznesi turk të investojë në Shqipëri

EKONOMI


Kryeministri Rama e fton Turqinë të investoj më shumë në vendin tonë. Në një intervistë për Turkey Today, Rama thotë se realiteti i gjurmës ekonomike të Turqisë në Ballkan nuk arrin të përputhet me ndikimin e saj politik.

“Nuk po i bëj llogaritjet e vlerës së Galatasarayt dhe Fenerbahce, por kam frikë se të marra së bashku, kjo vlerë është më e lartë se ajo e tregtisë midis Turqisë dhe Shqipërisë, dhe nuk është e mjaftueshme. Të paktën duhet ta kapërcejmë ligën turke” tha Rama

Tregtia dypalëshe tejkalon 1 miliard dollarë dhe të dy vendet kanë vendosur një objektiv për të arritur në 2 miliardë dollar vitet e ardhshme.

Kryeministri i Shqipërisë nuk u kursye të komentonte as akuzat e fundit të Vuçiçit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formonin një “aleancë ushtarake” që synojnë shkatërrimin e Serbisë.

Sipas Ramës këto pretendime janë frikë që rrjedh nga paaftësia e Serbisë për të pranuar realitetin, ndërsa makthi i presidentit serb mbetet Kosova.

Rama riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë për Kosovën dhe tha se pavarësia e saj nuk mund të kthehet mbrapsht.

“Kosova është e pavarur, është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial” theksoi ai.

Megjithatë, duke iu referuar dialogut të bllokuar të lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana ndryshon natyrshëm nga ajo e Kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes në Prishtinë. Kur u pyet nëse Shqipëria ka një “Plan B” në rast se BE-ja ngec, Rama ishte i prerë: “jo”.



Skip to toolbar