Më shumë vota se votues? KQZ: Rezultate janë paraprake, ndaj ka mospërputhje shifrash

AKTUALITET


Komisioni Qëndror Zgjedhore ka sqaruar të hënën se rezultatet e publikuara në faqen zyrtare të saj janë paraprake dhe jo zyrtare, ndaj dhe ka mospërputhje të shifrave. Zëdhënësja për shtyp e KQZ-së, Drilona Hoxha tha se informacioni është marrë përmes telefonit me drejtuesit e KZAZ-ve ndaj dhe në disa raste janë vërejtur më shumë vota se sa votues. Por ky nuk është rezultat përfundimtar i certifikuar nga KQZ.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson të sqarojë se, sikundër është theksuar si nga zëdhënësja dhe drejtuesi i KQZ, të dhënat e pasqyruara nga KQZ në intervale periodike kohore gjatë ditës së djeshme dhe që gjenden edhe në  faqen online të institucionit, janë informacione të siguruara në rrugë operative (me telefon) nga Komisionet e Qendrave të Votimit.


Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përundimtar të votimit. Kjo është një vendimmarrje shumëvjeçare e legjislatorit shqiptar përmes Kodit Zgjedhor dhe vendimmarrjes së KQZ-së ndër vite që, në dilemën për të mos dhënë asnjë informacion apo për të dhënë një informacion paraprak, ka zgjedhur  këtë fundit, në mënyrë që ti mbajë qytetarët të informuar, por pa pretenduar saktësinë absolute, e cila vjen vetëm në përfundim të procesit.

Ky është një fenomen i cili është evidentuar në çdo proces zgjedhor, por duke qenë se vëmendja kryesore ka qenë tek rezultati, ndërkohë që aktualisht është edhe tek pjesëmarrja, këtë radhë po evidentohet me dukshëm. Kjo problematikë e mbarsur mund të zgjidhet vetëm në rast se procesi i votimit bëhet tërësisht përmes teknologjisë”, tha zëdhënësja e KQZ.

Përmes kësaj deklarate, KQZ rrëzoi edhe shkrimet e publikuara në disa portale sipas të cilëve Rama ka manipuluar zgjedhjet për shkak se rezultojnë më shumë vota sesa votues në disa bashki.




Skip to toolbar