Pas 14 orësh përpjekjesh të ekipeve të shpëtimit Diena Meçaj Karanxha u nxorr e gjallë nga rrënojat, por nuk ia doli të qëndronte në jetë. Ajo ndërroi jetë vetëm pas pak orësh në spital.
30-vjeçarja që kishte pasion pikturën u zu poshtë nga rrënojat e pallatit 6-katësh që u shemb në Durrës. Më herët gjatë ditës u nxorr nga rrënojat trupi i pajetë i vajzës së saj j 8-vjeçare.
Familja Karanxha ka pësuar një tragjedi të vërtete, pasi pak kohë më parë Diena kishte humbur bashkëshortin, ndërsa tërmeti i 26 nëntorit e shoi të gjithë familjen e saj.
Në vitin 2015 ajo kishte lënë një shënim në Facebook dedikuar bashkëshortit të saj që kishte ndërruar jetë.
“Mendoja gjithmonë që Zoti më kishte dhënë shumë lumturi, duke pasur një shok e një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Me mungon shumë bebi im”, shkruante ajo.