Mero Baze: Basha e riktheu Berishën te gijotina e SHBA

Më të fundit


Lulzim Basha i ka kthyer një përgjigje shteruese Sali Berishës dhe mbështetësve të vet, duke e rikthyer debatin në fakt aty ku ka nisur, tek vendimi i SHBA për të futur familjen Berisha në listën e zezë, si minues të demokracisë në Shqipëri, shantazhues të sistemit gjyqësor dhe përfitues të fondeve publike duke përdorur pushtetin.

Për herë të parë kryetari i PD e thekson qarte se Sali Berisha po përpiqet ta kthejë PD në një bunker anti-amerikan. Dhe këtë nuk po e bëjnë burrërisht duke u përballur me vendimin e SHBA, por duke devijuar debatin nga shkaku i cili e ka lindur atë.

Përpjekja e Berishës dhe mbështetësve të tij, për ta larguar debatin nga arsyeja që e lindi dhe për ta maskuar atë si një “luftë për demokraci të brendshme”, dhe aq më tepër si një betejë për rikthimin e Berishës në krye të PD, është një fyerje dyfish për PD dhe SHBA.

Është fyerje dyfish, pasi të shpresosh që Berisha do sjellë demokracinë në PD, është siç patë thënë dikur Genc Ruli, të shpresonin gjermanët që nën Hitlerin mund të bënin dhe denazifikimin e Gjermanisë.

Plagët e demokracisë në PD, por dhe në Shqipëri, kanë ardhur prej berishizmit. Ai është autori i përjashtimeve të mëdha në PD, njeriu që nuk ka përfillur asnjë garë demokratike dhe nuk ka lejuar kurrë të ketë konkurrent në atë parti.

Pavarësisht paturpësisë për të gënjyer, duke u përpjekur të joshë konkurrentin e fundit kundër Bashës, Agron Shehajn, i cili nuk është zgjedhur në Kryesi pas garës, vet Sali Berisha ka shembuj të zinj në këtë drejtim.

Konkurrentet e Berishës për kryetar jo vetëm nuk kanë qenë më në Kryesi, por as në PD. Neritan Ceka u flak nga PD dy muaj pas konkurrimit, Azem Hajdari u përjashtua nga PD, ndërsa konkurrenti i fundit i Sali Berishës, Uran Butka, nuk u lejua të ishte as në administratën e pushtetit të PD pas konkurrimit më 2005.

Ky që thotë se “unë se kam bërë kurrë këtë që ka bërë Basha”, duke mos e futur rivalin në Kryesi, ka të drejtë. Ai e ka bërë më keq se kaq. Nuk i ka lënë më as në parti, dhe pse shumë prej tyre nuk ishin të rrezikshëm për të.

Kjo shmangie e debatit nga arsyeja përse lindi, është dhe një fyerje dyfish për SHBA, pasi Berisha po përpiqet ta injorojë vendimin dhe ta quajë inekzistent, duke shpikur një SHBA tjetër, me shqiptarë qesharakë nga diaspora apo me nostalgji fotosh me krerë të shtetit amerikan, për shkak të detyrave të tij në krye të shtetit.

SHBA i di të gjitha ato. E di që Berisha ka takuar krerë shteti amerikan, e di që ka qenë në pushtet, e di si ka tentuar të përdorë SHBA për të shtypur opozitën dhe për të vjedhur zgjedhjet, e di si ka bërë korrupsion në emër të amerikanëve në Gërdec, dhe ndaj është në listë të zezë. Po të ishte qytetar i thjesht nuk do ishte në atë listë. Është atje pikërisht pse amerikanët e njohin.

Po ashtu, justifikimi se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë për korrupsion nga drejtësia shqiptare, është i vërtetë, por nuk është i drejtë. Është kjo arsyeja që ai është vlerësuar nga SHBA si shantazhues i sistemit të drejtësisë, pasi ka penguar drejtësinë të hetojë atë dhe të afërmit e tij. E ka të shkruar në epitaf këtë arsye.

Kjo është e vërteta e madhe e debatit të Berishës. Nëse ai do ta vazhdojë këtë debat, duhet të përballet pikërisht me këtë problem dhe me këtë sfidë që i kanë hapur amerikanët, si i korruptuar, si minues i demokracisë dhe shanatzhues i drejtësisë.

Ai duhet të bindë PD të bëhet bunker anti-amerikan për ta mbrojtur nga këto akuza, por jo duke devijuar debatin tek probleme që nuk kanë lidhje me këtë çështje.

Debatet e demokracisë së brendshme në PD janë pasoja të berishizmit dhe faktit që tentoi ta diktojë lidershipin e PD duke i imponuar modelin e tij.

Lulzim Basha do gjykohet prej sot e tutje si një njeri i lire, nëse do imitojë Berishën apo do jetë vetvetja. Derisa më sot fatura ka qenë e Sali Berishës. Dhe e ka mbrojtur vetë publikisht, nuk e shfajësojmë dot.



Skip to toolbar