Mero Baze: Një raport që tregon luftën e dështuar të Ilir Metës kundër shtetit

OPINION


Nga Mero Baze

Komisioni i Venecias, i cili po shqyrton kërkesën e Parlamentit të Shqipërisë për shkarkimin e Ilir Metës, ka marrë një raport prej 55 faqesh nga Ilir Meta, i cili e përshkruan situatën para 30 qershorit, jo vetëm në mënyrë tërësisht të njëanshme, por duke censuruar ngjarjet kryesore politike dhe qëndrimet ndërkombëtare, që bënë të mundur të realizohej 30 qershori. Dhe kur një president gënjen zyrtarisht në një raport të publikuar në faqen e vet zyrtare, atëherë nuk ke çfarë kërkon më tej në arsyet për ta shkarkuar atë.

Së pari, Ilir Meta nuk ka përfshirë në raportin e tij zyrtar, faktin që ai ishte palë me opozitën për mos pjesëmarrje në zgjedhje. Ai jo vetëm që nuk ishte mbi palët, por ishte frymëzuesi i mos pjesëmarrjes në zgjedhje. Përpara se të fillonte fushata zgjedhore, ai ishte angazhuar në beteja personale kundër qeverisë, në lojëra politike antikushtetuese për mos dekretim ministrash dhe mos dekretim të shkarkimit të ministrit të Jashtëm, në përpjekje për ta përdorur postin e presidentit, si mjet për luftë politike dhe diversion kundër shumicës.

Këtë nuk e ka në raport.

Së dyti, Ilir Meta e paraqet vendimin e tij për shtyrje të zgjedhjeve, si një përpjekje për të shmangur dhunën, ndërkohë që ishte e kundërta. Dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve u përdor si krye-arsye për dhunën e opozitës dhe vetëm pas 8 qershorit, kur Ilir Meta bëri dekretin e anulimit të 30 qershorit, opozita me dekretin e tij në dorë, ju sul KZAZ-ve, dogji shkolla dhe sulmoi materialet zgjedhore, duke e konsideruar dhunën legjitime. Pra Ilir Meta nuk shmangu dhunën, por frymëzoi dhe legjitimoi dhunën politike me dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve. Dhe këtë nuk e ka në raport.

Së treti, Ilir Meta nuk përshkruan në raport mbështetjen ndërkombëtare për 30 qershorin. Ai i referohet vetëm një lobisti të PD, që është kryetar i grupit parlamentar të CDU, që paska thënë se shtyrja e zgjedhjeve nga Ilir Meta mund të krijojë hapësirë të re, por ai ka censuruar në raport qëndrimin zyrtar të SHBA, qëndrimin zyrtar të Bashkimit Europian, përfshi dhe kancelares Merkel, dhe qëndrimin zyrtar të OSBE, që kërkonin që zgjedhjet të bëheshin më 30 qershor.

Ai po ashtu ka harruar të pasqyrojë faktin që ka sulmuar hapur SHBA, Bashkimin Europian dhe OSBE, si president i Shqipërisë, dhe banda të tij kanë terrorizuar dhe ambasadorin e OSBE në Tiranë, duke i shkuar tek shtëpia.

Kjo tregon shumë për betejën e tij personale dhe politike kundër 30 qershorit dhe keqpërdorimin e postit të presidentit, duke shpallur aleatët strategjikë të Shqipërisë, si armiq të saj.

Falë këtij qëndrimi perëndimor të SHBA, BE e OSBE, Ilir Meta u trajtua si Maduro dhe u injorua, duke shpëtuar Shqipëria. Kjo mungon në raport.

Së katërti, Ilir Meta ka harruar të pasqyrojë në raport faktin që të gjitha arsyet që ai thotë pse nuk mund të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor, vlenin dhe për të mos u bërë më 13 tetor, pasi edhe ato do të ishin zgjedhje të njëanshme, vetëm nga njëra palë dhe ishte një datë e vendosur pa marrë konsensusin e palëve.

Kjo tregon se presidenti nuk po kujdesej për konsensusin, por për t’i vënë flakën Shqipërisë, me shpresë se pas kësaj do të mbaronte makthi i tij për gjërat që po shkonin jashtë kontrollit të tij dhe Sali Berishës.

Së pesti, çka është dhe më e rëndësishme, në të njëjtën ditë që Ilir Meta bën publike gënjeshtrat e veta për 30 qershorin si president “konsensual”, në të njëjtën ditë publikon në faqen e tij zyrtare thirrje për përmbysje politike në Shqipëri nën moton “O sot, o kurrë”, që pasqyron më shumë gjendjen e tij depresive dhe makthin politik, se sa pozicionin e presidentit të Republikës.

Ndaj mendoj se raporti që ai ka bërë publik është një arsye më shumë për ta shkarkuar, pasi reflekton edhe përpjekjen për të gënjyer zyrtarisht, duke fshehur të vërtetën që është ende e freskët.

Dhe i bën nder ta shkarkosh si president që i ka shpallur luftë shtetit. Se realisht, nëse e shikon si është katandisur, atë mund ta shkarkosh edhe si president që turpëron shtetin.

Do të mjaftonte videoja e tij me qenin nga Bosnja, videon me macet nga Lalzi, videot me brekë me Çim Pekën nëpër male, apo paralajmërimin për tërmetin apokaliptik, dhe çdo gjë që dëshmon lajthitjet e tij psikike, për ta shkarkuar si president që na turpëron.

Por kjo do ta rëndonte më shumë shtetin shqiptar. Më mirë të iki si njeri që tentoi të vrasë shtetin, se sa siç është realisht, një njeri që nuk e përballoi dot qënien në krye të shtetit.



Skip to toolbar