Mero Baze: Prioritetet e Berlinit dhe prioritetet e Albinit

Më të fundit


Kancelarja gjermane Angela Merkel i dha fund sot udhëtimit të saj në rajonin e Ballkanit, i cili prej shtatë vitesh ka qenë nën kujdestarinë e saj përmes Procesit të Berlinit, filluar në vitin 2014. Ky proces përfshin 12 shtete, gjashtë të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i zi dhe Bosnjë, dhe gjashtë shtete anëtarë të BE-së Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, dhe Sllovenia.

Procesi nisi si një përpjekje e Bashkimit Europian për të mos pësuar traumë nga ngadalësimi i përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe u konceptua si një nismë politike shumëpalëshe midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, nën “patronazhin gjerman”.

Procesi synonte nxitje të reforma të këtyre vendeve, duke i dhënë prioritet investimeve dhe ndërveprimeve mes shteteve të rajonit dhe duke zgjidhur në këtë kuadër dhe çështje të ngelura pezull.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot pas takimit me kancelaren Merkel, se Kosova do t’i përmbahet Procesit të Berlinit dhe i caktoi këtij Procesi katër prioritete të tij, të cilat sipas Kurtit do te jenë:

1-Sundimi i ligjit që vepron kundër korrupsionit dhe oligarkëve. 2-Demokratizimi që mundëson media të lira e të pavarura dhe vepron kundër autokratëve. 3-Ballafaqimi me të kaluarën dhe nuk lejon të ketë në liri kriminelë të luftës dhe aq më pak të jenë në pushtet. 4-Reciprocitet, balanca mes pakicave kombëtare dhe kundër hegjemonive nacionaliste.

Nuk kam ndonjë gjë kundër me prioritetet e Albin Kurtit, edhe pse dy prej tyre janë detyra të tij dhe dy të tjera detyra të Serbisë. Dy detyrat e tij ai i ka humbur që në strat, pasi qeveria e Albin Kurtit është qeveria më agresive në rajon kundër lirisë së shtypit.

Ajo ka një sens linçues ndaj gazetareve kritikë me të. Një zyrtar i lartë i saj, Haki Abazi, vetëm dy ditë më parë kërcënoi publikisht një gazetar duke thënë se “do t’ia bëjë zi si dikur në TV Klan”.

E qartësuar kjo për publikun, është se me ardhjen në pushtet të qeverisë së Albin Kurtit, ky gazetar u shkarkua nga drejtori i TV Klan dhe tani sipas kësja qeverie, duhet të vazhdojë të përndiqet.

Këtu bie dhe angazhimi i parë i Albin Kurtit, pasi tregon që me oligarkët, siç është pronari i Klan Kosovës, e ka mirë dhe nuk është në luftë. Në luftë është vetëm me gazetarët.

Do të mjaftonte të shikoje komentet e trushpëlarve të Albin Kurtit ndaj gazetarëve kritikë me të, apo sulmet personale, siç ishte ai ndaj Halil Matoshit javën që shkoi, për të kuptuar se Albin Kurti dy prioritete që i ka vet-caktuar për Procesin e Berlinit, i ka humbur që në start. Dy të tjerat që varen nga Serbia, mund të mos i realizojë kurrë, por për këto e ka lehtë se fajëson dhe Serbinë.

Por në fakt Procesi i Berlinit ka prioritet e veta dhe jo atë të Albinit.

Procesi ka një dimension diplomatic, i cili detyron vendet e rajonit që të zgjidhin në rrugë paqësore problemet mes tyre dhe të mos bllokojnë njëri-tjetrin në rrugën e avancimit për anëtarësi në BE, konfirmuar kjo nga Samiti i Ministrave të Jashtëm në Vjenë.

Procesi i Berlinit ka po ashtu një prioritet ekonomik, që synon projekte të përbashkët infrastrukture dhe treg funksional rajonal.

Në Samitin e Triestes më 2017 u zhvillua dhe ideja e Zonës Ekonomike Rajonale, që duhet të ndihmojë shtetet e Ballkanit në përmbushjen e kritereve ekonomike të BE-së.

Të gjashta shtet e Ballkanit u zotuan për katër prioritete lidhur me Zonën Ekonomike Rajonale dhe ato janë tregtia e lirë, investimet, mobiliteti dhe dimensioni digjital i BE-së.

Tregtia synon qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve pa pengesa; harmonizimi i parimeve të Marrëveshjes për Tregti i Evropës Qendrore (CEFTA) dhe i standardeve të BE-së;

Prioriteti i dytë janë investimet në rajon.

Prioriteti i tretë është agjenda e Mobilitetit, e cila ofron mundësi më të mira për profesionistë të kualifikuar përmes marrëveshjeve me interes të përbashkët.

Dhe prioriteti i katërt është Integrimi Digjital, i cili nënkupton qasje më të madhe digjitale; siguri në shërbimet digjitale; ekonomia digjitale dhe shoqëria digjitale, çka është e ngjashme me standardet digjitale të Bashkimit Evropian.

Këto janë katër prioritetet e procesit Berlinit dhe jo katër prioritetet e Albinit. Albini është i lirë të thotë që nuk e mbështet Procesin e Berlinit, por Kosova nuk është thirrur në atë proces që të ndryshojë Evropën, por që të ndryshojë raportet e saj me rajonin dhe të zgjidhë problemet e historisë së saj.

Samiti i Triestes ku Kosova ka marrë pjesë, ka zhvilluar si angazhim të ri atë që quhet Zona Ekonomike Rajonale, e cila nëse do të zbatohej nga Kosova, ajo do të përfitonte nga kriteri i lëvizjes pa viza, do të përfitonte njohjen e autoriteteve të Kosovës në rajon, dhe vlefshmërinë e një sërë dokumentesh të shtetësisë së saj, që nga çertifikatat e lindjes, licensat, diplomat dhe shkëmbimet e profesionistëve.

Mbi të gjitha, përmes këtij procesi Kosova përmbush një nga kriteret më të rëndësishme të Marrëveshjes së Asocimit (MSA), që është marrëdhënia e mirë me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal.

I ashtuquajturi “Open Balkan” që po mallkohet nga Albin Kurti, është pikërisht një iniciativë që buron nga procesi i Berlinit dhe pikërisht nga koncepti i Zonës Rajonale Ekonomike miratuar në Trieste, si një mjet rajonal për implementimin e saj.

Është spekulim i ulët që të thuash se kjo është sabotim i Procesit të Berlinit, apo nuk është nën patronazhin e BE, pasi ajo është brenda konceptit të Procesit të Berlinit.

Albin Kurti është i lirë të mos marrë pjesë në të, pasi procesi ndaj është lënë i hapur, që askush të mos bllokojë njëri- tjetrin. Por ai duhet të respektojë Procesin e Berlinit ashtu siç është formatuar dhe jo ashtu siç kërkon ta formatoj ai.

Prioritetet e Berlinit dhe prioritetet e Albinit nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Prioritetet e Berlinit kërkojnë të fusin Ballkanin në BE, kurse prioritetet e Albinit kërkojnë të fusin Europën në Ballkan dhe që Procesi i Berlinit të jetë një armë për luftë ndaj gjithë atyre që Albini nuk do në Ballkan. Sidomos Shqipërinë.

Nuk jam kundër dëshirave të tij, por nuk kanë lidhje me Procesin e Berlinit. Ky proces që ka në mendje Albini, ka vdekur në vitin 1999 në Ballkan. Quhej procesi i Milosheviçit.



Skip to toolbar