Ditmir Bushati: Paradoksi i “epokës Merkel” në Ballkanin Perëndimor

Më të fundit



Për pak ditë, gjermanët do t’i drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përbërjen e re të Bundestagut. Për herë të parë që nga viti 1949, Kancelarja nuk kërkon të rizgjedhet. Ajo do të tërhiqet pas 16 vitesh dhe deri tani ky është i vetmi lajm i sigurtë. Gjithçka tjetër mbetet enigmë, pasi aritmetika elektorale bazuar në vrojtimet e opinionit publik është e larmishme dhe nuk përjashton asnjë koalicion të mundshëm për drejtimin e vendit. Interesant është fakti se rreth 50% e gjermanëve kanë votuar paraprakisht përmes postës. E lartë është fasha e të pavendosurve. Ndërsa pritet që shumica prej tre milion votuesve për herë të parë të anojë drejt të Gjelbërve. Vështruar në këtë kontekst, është e vështirë të parashikosh nëse zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të sigurojnë vazhdimësi apo ndryshim me “epokën Merkel”. Cilido qoftë rezultati, në planin ndërkombëtar, qeveria e ardhshme duhet të trajtojë sfidën urgjente të margjinalizimit gjeopolitik me të cilën përballet BE-ja, në kushtet e një bote gjithnjë e më zeropolare.Duhet theksuar se Merkel krijoi një mbështetje mbresëlënëse publike në Gjermani dhe një reputacion të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare, përfshirë rajonin tonë. Stili i politikës dhe vendimet e saj kanë reflektuar ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në shoqërinë dhe politikën gjermane, si dhe një dëshirë dërrmuese për të ruajtur status quo, për aq kohë sa është e mundur, e duke shmangur ndryshimet drastike.

Falë ushtrimit të “pushtetit të butë”, Merkel ka arritur të udhëheq BE-në në kohë të vështira, duke përballuar krizën financiare që thelloi hendekun zhvillimor mes veriut dhe jugut të Europës; krizën e refugjatëve dhe përplasjet për nivelin e sundimit të së drejtës brenda BE-së, që thelloi ndarjen botëkuptimore mes perëndimit dhe lindjes së Europës; kërcënimet e sigurisë në lindje të Europës si pasojë e veprimeve të Rusisë dhe ato në jugun e kontinentit për shkak të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm; BREXIT; plasaritjet transatlantike, të cilat dolën më në pah me administratën e Presidentit Trump, dhe pandeminë. Në disa raste, në funksion të ruajtjes së kohezionit brenda BE-së, Merkel-it i është dashur të tolerojë rrëshqitjen demokratike të evidentuar në disa vende anëtare të BE-së, apo dallgët nacionaliste të cilat kanë dëmtuar korpusin e vlerave dhe lirive mbi të cilat qëndron në këmbë ngrehina e BE-së. Situata brenda BE-së është projektuar në një mënyrë a tjetër edhe në Ballkanin Perëndimor, i cili mund të konsiderohet si oborri i saj.


Në këtë kontekst, largimi nga skena politike i Angela Merkel-it shoqërohet natyrshëm me pasiguri jo vetëm për Gjermaninë dhe Europën, por edhe për të ardhmen europiane të rajonit tonë. Nuk ka dyshim se Kancelarja Merkel, në nivel europian, është udhëheqësja më e interesuar dhe me nivelin e kuptimit më të plotë për Ballkanin Perëndimor. Vizitat e saj të herëpashershme në rajon, mesazhet e saj edhe në vizitën e lamtumirës në Beograd e Tiranë, nismat e prezantuara e të mbështetura prej saj për rajonin konfirmojnë rëndësinë që Gjermania i kushton anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndonëse duhet pranuar se rajoni nuk bën pjesë në listën e përparësive kryesore të Gjermanisë. Në vitin 2005, pak para së të zgjidhej Kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel, do të deklaronte në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung se “me politikën e tanishme të zgjerimit, BE ka prekur limitin e aftësisë së saj për të integruar anëtarë të rinj”, duke kërkuar një fazë konsolidimi për BE-në para se kjo e fundit të mendonte për anëtarë të rinj.Kjo klimë u reflektua në Strategjinë e Zgjerimit të nëntorit 2006, ku Komisioni Europian për herë të parë prezantoi benchmarks (kushte) si një instrument për të përmirësuar e monitoruar cilësinë e reformave gjatë procesit të anëtarësimit. Pjesë integrale e kësaj strategjie ishte dhe raporti i posaçëm mbi aftësinë e BE-së për të pranuar anëtar të rinj, ku theksohej se zgjerimi nuk duhet të pengojë aftësinë e BE-së për të thelluar procesin e integrimit dhe rritur efikasitetin e institucioneve të saj.

Për herë të parë në kornizën negociuese të vitit 2005 për Kroacinë dhe Turqinë u prezantua një kapitull i veçantë, kapitulli 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, që së bashku me kapitullin 24 – drejtësia, liria dhe siguria, mbulojnë një gamë të gjerë të çështjeve që lidhen me sundimin e së drejtës, kryesisht me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë, prezantimi i benchmarks dhe i kapitullit 23 rezultoi efektiv për Kroacinë, duke u bërë vendi i parë që u përball me qasjen e re dhe arriti me sukses t’i përmbyll negociatat dhe procesin e anëtarësimit në BE. Rëndësia e kapitujve 23 dhe 24 u përforcua nga Komisioni Europian, në Strategjinë e Zgjerimit të vitit 2011, ku u propozua një qasje e re përsa i përket prioritizimit të reformave në fushën e sundimit të së drejtës. Çështjet e sundimit të së drejtës u konsideruan si prioritare, e për rrjedhojë u vendos që kapitujt 23 dhe 24 të hapen të parët dhe të mbyllen të fundit, duke e shoqëruar të gjithë procesin e anëtarësimit. Mali i Zi ishte i pari shtet që filloi bisedimet bazuar në këtë qasje të re. Tek rasti i Serbisë, për shkak të insistimit të Gjermanisë, BE-ja përfshiu në kornizën negociuese elementë që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Për pasojë, bisedimet filluan me kapitullin 35, duke i dhënë një rëndësi të madhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që do të pasohej me njohjen e ndërsjellë. Në rastin e Shqipërisë, reforma në drejtësi do të kthehej në parakusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Në mënyrë të pashprehur BE-ja me insistimin e disa vendeve anëtare të mbështetura nga Gjermania “themeloi” një praktikë të pashkruar sipas së cilës nuk mund të hapen më shumë se dy kapituj përgjatë një presidence gjashtë mujore. Franca, nga ana tjetër, për arsye kryesisht të brendshme, kërkoi reformimin e mëtejshëm të procesit të zgjerimit, duke e bërë procesin e anëtarësimit në BE edhe më kushtëzues, jo automatik, e thuajse të ndryshëm për nga etapat dhe kërkesat me atë që kaluan vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.Kësisoj, i gjithë procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të rajonit ngeci. Më flagrant është rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithëse i kanë përmbushur standardet për të filluar bisedimet për anëtarësim që prej qershorit të 2018-ës, ende nuk i kanë nisur ato. Kosova edhe pse ka vite që i ka përmbushur reformat që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave vijon të jetë e izoluar. Një situatë e tillë me të drejtë shton pikëpyetjet për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe nxit instinktet e së shkuarës, duke e mbajtur peng të ardhmen e rajonit. Për të mos e lënë rajonin nën efektet e depresionit që mund të sillte mungesa e konkretizimit të procesit të zgjerimit, Kancelarja Gjermane shpalli në vitin 2014 “Procesin e Berlinit”, si një mundësi riangazhimi e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur vetë BE-ja ishte më shumë e fokusuar në adresimin e krizave të brendshme dhe ku konteksti gjeopolitik me krizën në Ukrainë kishte evoluar ndjeshëm.Asokohe mbizotëronte frika se Procesi i Berlinit mund të shërbente si zëvendësues i procesit të anëtarësimit në BE.

Gjermania nga njëra anë dhe vendet e rajonit nga ana tjetër këmbëngulnin që për rajonin nuk ka alternativë tjetër përveçse anëtarësimit në BE. Duhet pranuar se Procesi i Berlinit ndryshoi disi rutinën e formatit të zgjerimit dhe vendosi theksin tek bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës me nënshkrimin e deklaratës për adresimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve të përfundimit të shtetësisë; me krijimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor bazuar mbi modelin franko-gjerman; Sekretariatit të Dhomave të Tregtisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; dhe Zonës Ekonomike Rajonale, duke nxitur kështu marrëdhëniet ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqëror. Në të njëjtën kohë, Procesi i Berlinit miratoi edhe agjendën e ndërlidhjes rajonale mes vetë vendeve të rajonit dhe me ato BE-së, me qëllim zbutjen e hendekut zhvillimor mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Përmes këtij procesi, Ballkani Perëndimor u vendos në hartën europiane të transportit dhe energjisë, ndonësë ende pa projekte të prekshme për qytetarët e rajonit dhe pa ndërlidhje me fqinjët pjesë e BE-së. Po kështu, në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian të 2018-ës, e cila u mbështet nga drejtuesit e vendeve Anëtare të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofias, u përvijuan 6 nisma të tilla si: transporti, ndërlidhja energjetike, agjenda digjitale, zhvillimi ekonomik e shoqëror, sundimi i së drejtës e siguria, dhe migracioni, më qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Mirëpo shtatë vjet pas prezantimit të kësaj nisme mund të thuhet se ajo është larg pritshmërive fillestare, ashtu sikundër procesi i anëtarësimit në BE. Së pari, procesi nuk ka arritur të zbusë mosmarrëveshjet dypalëshe apo çështjet e përfundimit të shtetësisë, të cilat pengojnë potencialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më të thelluar, çka do të përkthehej në më shumë mirëqënie dhe rritje ekonomike. Në të kundërt, në rajon u shfaqën prirje e tentativa për t’iu kthyer ideve të vjetra që i jepnin përparësi territoreve përkundrejt njerëzve, revizionimit të historisë, mohimit të gjenocidit dhe krimeve barbare të luftës, njehsimit të fesë me kombin si instrument përçarës e sundues përkundrejt fqinjëve. Në zmbrapsjen e këtyre tentativave, roli i Kancerales dhe Gjermanisë është i pazëvendësueshëm.Së dyti, procesi nuk ka arritur të mobilizojë burimet e domosdoshme financiare për të adresuar hendekun ekzistues ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që kanë impakt të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen rajonale. Për shembull, për ciklin buxhetor 2021-2027, i cili reflektohet në Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet Anëtare të BE-së që rrethojnë rajonin tonë përfitojnë 11 herë më shumë fonde për frymë sesa vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rrit pesimizmin tek qytetarët e rajonit, dhe shpie në humbjen e besimit për ndërtimin e një perspektive zhvillimore. Le ta themi troç, qytetarët nuk mund të ushqehen me kapituj, procedura burokratike të panumërta apo konferenca ndërqeveritare.

Ato kanë nevojë të përqafojnë konkretisht zhvillimin e të bëhen kësisoj aktorë të transformimit rrënjësor të shoqërive tona.Së treti, procesi nuk ka ofruar instrumente që përmirësojnë sistemin e qeverisjes, bazuar në sundimin e së drejtës, e as pronësinë ndaj reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e qartë se shoqëritë tona mbeten në thelb shoqëri me institucione të brishta, jo funksionale dhe ku beteja kryesore nuk është aq shumë me influencën e aktorëve të tretë sesa me metastazat e krimit të organizuar e korrupsionit që gërryejnë themelet e shoqërisë dhe rregullat e bashkëjetesës demokratike. Së katërti, megjithëse një platformë ndërqeveritare, Procesit të Berlinit i mungojnë institucionet dhe një buxhet i mirëpërcaktuar në funksion të përmbushjes së angazhimeve çka do të zvogëlonte varësinë e disa prej vendeve të rajonit ndaj aktorëve të tretë, të cilët synojnë status quo-n. Së pesti, “menuja” e procesit ka humbur disi fokusin fillestar të tij, duke mos arritur të adresojë tre sfida themelore më të cilat përballën vendet e rajonit: (i) demokracia; (ii) zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik; (iii) kërcënimi demografik. Ky është paradoksi i “epokës Merkel” në rajon. Prezencë dhe kuptueshmëri të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër europian, por rezultate të pamjaftueshme, pasi integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte një hap drejt arritjes së finalitetit të BE–së, duke nënkuptuar konsolidimin e projektit të integrimit europian, në një hapësirë konkrete politike me një kufi të përcaktuar në rang kontinental.Sipas vrojtimit të fundit të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), shumica e qytetarëve europian besojnë tek Gjermania dhe kërkojnë një rol më të madh të saj në BE.

Vrojtimet e kryera në vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmojnë gjithashtu besimin e qytetarëve tek Gjermania dhe pritshmëritë për një angazhim më të madh të saj.Tema e angazhimit më të madh të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare është një temë gjithnjë e pranishme në qendrat kërkimore dhe institucionet vendimmarrëse. Në vitet 2012-2013 në Gjermani u zbatua një projekt nga Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë, me pjesëmarrjen e një rrjeti të gjerë ekspertësh, në lidhje me elementët strategjik të politikës së jashtme gjermane. Analiza strategjike tregonte se “fuqia gjermane imponon një ripërcaktim të pozitës gjermane në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe se “Gjermania, fuqinë dhe begatinë që disponon ia detyron mbi të gjitha ekspansionit global ekonomik, ndaj duhet të veprojë në mënyrë aktive në nivel global”. Kësaj teze i mëshon edhe një prej ministrave të jashtëm më energjik Joschka Fischer, i cili interesat politike dhe ekonomike të Gjermanisë i konsideron të ndërlidhura me një BE të fortë dhe të suksesshme. Sipas tij, Gjermania duhet t’i tejkalojë traumat e së kaluarës dhe fuqinë e saj ta vërë në funksion të krijimit të Europës së fuqishme nën udhëheqjen e saj.Ndaj, dilema që kërkon përgjigje pas largimit të Angela Merkel-it nga skena politike është nëse për të përmbushur plotësisht rolin e udhëheqësit të Europës, konsolidimin e projektit të integrimit europian dhe fuqizimin e lidhjes transatlantike, Berlinit do t’i duhet të rishikojë ato parime të Merkelizmit që i bënë europianët dhe popujt e rajonit tonë të vendosin me të drejtë shpresat e tyre tek Gjermania.