Merr fëmijët dhe 1 Qershorin kaloje në shesh. Kafshë, shpendë e shumë surpriza të bukura

AKTUALITET


Mëngjesi i së shtunës e ka gjetur të transformuar sheshin “Skënderbej”, që është kthyer në një arenë argëtimi për fëmijët me rastin e festës së tyre, 1 Qershorin.

Ai është kthyer në një fermë të vërtetë ku çfarë nuk gjen, shpendë, kafshë, lepurushë të vegjël e plot gjëra të tjera të bukura për fëmijët.

Nëse ende nuk ke dalë nga shtëpia bën mirë të marrësh kolopuçët dhe drejt e në shesh se festimet dhe tingujt e muzikës kanë kohë që kanë nisur.

Po kaq interesant për më të vegjlit e kryeqytetit, është edhe panairi i mjedisit, i cili jo vetëm i njeh ata me elementët kryesorë të tij, por edhe i mëson fëmijët me informacionin e duhur për ta mbrojtur ambientin që na rrethon.

Një tjetër aktivitet mjaft tërheqës këtë 1 Qershor është panairi i Policisë së Shtetit dhe i Ushtrisë, ku disa mjete ushtarake dhe të forcave të rendit të vendosura në Bulevard kanë kuriozuar jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit.

Në vazhdën e aktiviteteve që Bashkia e Tiranës ka organizuar këtë 1 Qershor, janë edhe ato argëtuese, lojërat për fëmijë, garat me biçikleta, aktivitetet sportive, si dhe muzika e shfaqjet artistikë, të cilat ia kanë shtuar edhe më shumë gjallërinë dhe harenë kryeqytetit.



Skip to toolbar