Ishin me rrezik të lartë për fëmijët, bllokohen 10 mijë lodra për fëmijë

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut bllokoi rreth 10.000 produkte, kryesisht lodra për fëmijë, të cilat ishin jashtë standardeve. Në prag të festave të fundvitit, tregëtimi i lodrave për fëmijët ka një aktivitet të shtuar. Por, shpesh këto produkte janë të ndaluara për përdorimin nga fëmijët pasi mund të shkaktojnë probleme për shëndetin. Gjatë ditës së martë, ISHMT inspektoi tregun e “Medresesë” në Tiranë, duke bërë verifikime në subjektet importuese, si dhe ato të tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet europiane, pra janë të pamarkuara CE, dhe me mungesë të dokumentacionit teknik, të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kryeinspektori i ISHMT-së Lavdrim Sahitaj, gjatë kontrollit në pikat e tregtimit, tha se ISHMT në bashkëpunim me Qendrën Konsumatori Shqiptar, ka kryer disa teste laboratorike për disa modele lodrash të marra në analizë dhe nga testet laboratorike ka rezultuar se ka elementë kimikë me rrezik të lartë për shëndetin e fëmijëve, ku përfshihen disa kategori të ftalateve, boronit dhe elementëve të tjerë të ndaluar kimikë në këto produkte. Vetëm në ditët e para të muajit dhjetor, ISHMT ka bllokuar rreth 10 mijë produkte, pasi tregtoheshin në kundërshtim me përcaktimet ligjore.

“Për të gjitha produktet që rezultojnë me përmbajtje të elementëve kimikë jashtë tolerancave të përcaktuara në legjislacionin shqiptar që tashmë është plotësisht i transpozuar me atë europian, janë marrë masa bllokimi të përhershëm dhe shkatërrimi të produkteve lodra.  Janë 10,000 produkte që janë bllokuar në pjesën e parë të muajit dhjetor. Ju kërkojmë importuesve dhe gjithë linjës së tregtimit të produkteve lodra, të bëjnë kujdes në produktet, që ata tregtojnë për konsumatorët, të cilat duhet të jenë në përputhje me legjislacionin për mbikëqyrjen e tregut, si edhe të tërheqin nga tregu produktet për të cilat ISHMT ka vendosur masën e ndalimit të përhershëm dhe janë njoftuar zyrtarisht si produkte të rrezikshme”, tha z.Sahitaj.

Raporti i World Vision: 70% e fëmijëve në Shqipëri janë dhunuar

Organizata World Vision ka bërë publike të mërkurën shifrat e një raporti të hartuar prej saj mbi situatën e Mirëqenies së Fëmijëve në Shqipëri gjatë vitit të fundit.

Sipas raportit të World Vision gjatë vitit të fundit 70% e fëmijëve të moshës 8 deri në 18 vjeç kanë përjetuar një formë dhune.

Ky raport thotë se 46 % e fëmijëve janë indiferentë dhe nuk duan të përfshihen në raportimin e rasteve të dhunës dhe 34% e tyre nuk e raportojnë për shkak të mungesës së besimit që institucionet do ta zgjidhin situatën.

Dhuna është një prej faktorëve kryesorë që pengon zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve si dhe cenon arritjen e rezultateve në ndërhyrjet socio-ekonomike, që çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri.

Raporti bën  të ditur se dhuna fizike dhe psikologjike është e pranishme në të gjitha hallkat kryesore të shoqërisë. Fëmijët raportojnë se shpesh nuk ndihen të sigurt në ambientet e lagjes apo shkollës së tyre.

Aksident në Lungomare, makina përplas fëmijën 10 vjeç

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në Lungomare të Vlorës, ku një makinë ka përplasur një fëmijë 10 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të zonës së Ujit të Ftohtë.

Fëmija ndodhet në spital të Vlorës, ndërkohë që policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton shkaqet e aksidentit.

Shkatërrohet rrjeti i trafikimit të minorenëve, 70 të arrestuar

EUROPOL shkatërron rrjetin që merrej me trafikimin e minorenëve, duke arrestuar 70 persona dhe shpëtuar 53 fëmijë. Aksioni, që pati një shtrirje të gjerë dhe gjithë europiane, përfshiu shtetet si Austria, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Gjermani, Hungari, Islandë, Letoni, Lituani, Holandë, Portugali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pas hetimeve të gjata dhe shkëmbimit të informacionit mes shteteve u bë e mundur edhe shkatërrimi i rrjetit. Sipas EUROPOL gjatë aksionit janë kontrolluar mbi 127 000 individë, 63 800 automjete dhe 1 100 vende, ndërsa në pranga ranë 34 persona për shfrytëzim të qenieve njerëzore dhe 36 të tjerë të tjerë për vjedhje, shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe lehtësim të imigracionit klandestin.

Rrjeti akuzohet për trafikim të minorenëve për qëllime të shfrytëzimit seksual, lypjes së detyruar dhe punësimit të detyruar,  ku 53 prej tyre arritën të identifikoheshin dhe të shpëtoheshin në kohë.

Tirana, me park edukativ për fëmijët që të mësojnë rregullat e qarkullimit

Shumë shpejt qytetit do t’i shtohet një Park Publik Edukativ, ku fëmijët do të mësojnë sjelljen në rrugë, rregullat e qarkullimit e si të jenë sa më të kujdesshëm dhe bashkëpunues. Lajmin e bukur e ka dhënë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj i cili tre ditë më parë u betua për një mandat të dytë në shërbim të qytetarëve.

Përmes një postimi në facebook, Veliaj thekson se në katër vitet e para e kemi parë qytetin në sytë e një fëmije, ndaj çdo projekt ka qenë gjithmonë miqësor me të vegjlit e Tiranës, ndërsa premton se puna nuk do të ndalet.

“Edukata më e mirë merret që në fëmijëri! Këto 4 vite e kemi parë qytetin në sytë e një fëmije, ndaj çdo projekt ka qenë gjithmonë miqësor me të vëgjlit e Tiranës. Shumë shpejt qytetit do t’i shtohet një Park Publik Edukativ, ku fëmijët do të mësojnë sjelljen në rrugë, rregullat e qarkullimit e si të jenë sa më të kujdesshëm dhe bashkëpunues”, thekson Veliaj.

Filozofia e ndërtimit të qytetit në katër vitet e para u fokusua tek fëmijët. Nuk mund të lëmë pa përmendur rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve në të gjithë kryeqytetin, ndërkohë që ka nisur puna për ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i japin fund një prej problemeve më të mëdha që nga vitet ’90: mësimit me dy turne.

“Të punojmë për të ardhmen e fëmijëve”. Mesazhi i Metës për 1 qershorin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot paradite në presidencë nxënës me rezultate të shkëlqyera në mësime nga shkolla të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e Festës së tyre, 1 Qershorit.

Presidenti Meta dhe të pranishmit e shumtë ndoqën koncertin e festiv me këngë e valle nga muzikantët e vegjël të Ansamblit “Shqiponja” dhe recitime kushtuar 1 Qershorit nga vogëlushët dhe vogëlushet e talentuara.

Presidenti i Republikës theksoi se: “Mbështetur në ëndrrat shumëngjyrëshe të fëmijëve, çiltërsinë dhe dashurinë e tyre të pamatë, të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen e tyre në një Shqipëri të vërtetë europiane”

Kreu i Shtetit shprehu urimet më të përzemërta e të ngrohta për të gjithë fëmijët shqiptarë, por dhe për prindërit e mësuesit dhe edukatoret tyre në këtë ditë të gëzueshme si dhe shpërdau certifikata nderi për disa nga nxënësit, që morën pjesë si sipërmarrës të vegjël në projektin “Biznesi im” të  Shkollës “Hasan Koçi”, në Shkozet të Durrësit.

Ruçi: T’i mbrojmë fëmijët nga pabarazia dhe kurthet e teknologjisë

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka uruar fëmijët  me rastin e 1 qershorit. Ai ka përcjellë një mesazh për fëmijët, shoqëri të drejtë dhe politikë të sinqertë.

Ruçi thotë se dija është shtegu drejt mirëqenies së fëmijëve dhe bën thirrje për mbrojtjen e tyre nga rreziqet e pabarazisë dhe kurthet e teknologjisë.

“Të mbrojmë fëmijët nga rreziqet e pabarazisë. Të mbrojmë fëmijët nga kurthet e teknologjisë”, shprehet Ruçi.

Merr fëmijët dhe 1 Qershorin kaloje në shesh. Kafshë, shpendë e shumë surpriza të bukura

Mëngjesi i së shtunës e ka gjetur të transformuar sheshin “Skënderbej”, që është kthyer në një arenë argëtimi për fëmijët me rastin e festës së tyre, 1 Qershorin.

Ai është kthyer në një fermë të vërtetë ku çfarë nuk gjen, shpendë, kafshë, lepurushë të vegjël e plot gjëra të tjera të bukura për fëmijët.

Nëse ende nuk ke dalë nga shtëpia bën mirë të marrësh kolopuçët dhe drejt e në shesh se festimet dhe tingujt e muzikës kanë kohë që kanë nisur.

Po kaq interesant për më të vegjlit e kryeqytetit, është edhe panairi i mjedisit, i cili jo vetëm i njeh ata me elementët kryesorë të tij, por edhe i mëson fëmijët me informacionin e duhur për ta mbrojtur ambientin që na rrethon.

Një tjetër aktivitet mjaft tërheqës këtë 1 Qershor është panairi i Policisë së Shtetit dhe i Ushtrisë, ku disa mjete ushtarake dhe të forcave të rendit të vendosura në Bulevard kanë kuriozuar jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit.

Në vazhdën e aktiviteteve që Bashkia e Tiranës ka organizuar këtë 1 Qershor, janë edhe ato argëtuese, lojërat për fëmijë, garat me biçikleta, aktivitetet sportive, si dhe muzika e shfaqjet artistikë, të cilat ia kanë shtuar edhe më shumë gjallërinë dhe harenë kryeqytetit.

“Nuk menduam për zgjedhjet, por për gjeneratën e ardhshme”. Tirana qytet miqësor për fëmijët

Në Tiranë u zhvillua të premten konferenca ndërkombëtare “Qytetet miqësore për fëmijët” ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur në botë në fushën e urbanistikës, UNICEF e përfaqësues të organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në fjalën e tij kryebashkiaku Veliaj renditi disa nga transformimet e Tiranës, për t’i shërbyer sa më shumë fëmijëve. Ai tha se pavarësisht se fëmijët nuk votojnë dhe nuk paguajnë taksa, ata e meritojnë të kenë një qytet miqësor me ta.

 “Sot 2/3 e kalamajve duan të bëhen kryetar bashkie. Por ajo që është e rëndësishme është fakti që fëmijët kanë filluar të mendojnë që tani si funksionon pastrimi, si funksionon gjelbërimi, si funksionojnë kopshtet, shkollat, çerdhet. Jam shumë i lumtur sot që ia kemi mbërritur kësaj dite ku fëmijët janë bërë një epiqendër e jetës sonë publike dhe ashtu si në familjet tona i kemi sytë tek këta, ashtu si një familje e madhe në qytetin tonë gjithashtu i kemi kthyer sytë tek fëmijët. Në fillim fare më thoshin, more çe keni këtë fiksim te kalamajtë, kalamajtë as nuk votojnë, as nuk paguajnë taksa? Qartazi pse i kemi kaq të dhunshme politikat sot është shumë prej këtyre njerëzve kur kanë qenë fëmijë s’kanë pas fëmijëri dinjitoze dhe vijnë shumë idhnakë dhe shumë të dëshpëruar nga fëmijëria e tyre dhe vazhdojnë tërë jetën me të njëjtin hidhërim dhe me të njëjtin helm që nuk mbaron dhe është një cikël dhune që përsëritet në shoqërinë tonë. Argumenti ynë ishte vërtet fëmijët nuk paguajnë taksa dhe vërtet fëmijët nuk votojnë, por ndoshta duke investuar tani te fëmijët fillojmë për herë të parë të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por fillojmë të mendojmë pak për gjeneratën e ardhshme dhe të sigurohemi që ky cikël nuk përsëritet”, tha ai.

Veliaj theksoi se përkundër zërit të një minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni Artificial, shumica fitoi, dhe tashmë në të gjithë qytetin janë ndërtuar kënde të reja lojërash, që dikur ishin hapësira të zëna nga ndërtimet informale.

Lirohen 900 fëmijë të rekrutuar për të luftuar terroristët

Rreth 900 fëmijë të rekrutuar nga milicia Civilian Joint Task Force (CJTF), që lufton grupin terrorist Boko Haram, në Nigeri janë liruar. Lajmin e konfirmoi organizata për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF, e cila tha se 894 fëmijë, duke përfshirë 106 vajza u liruan në Maiduguri në verilindje të Nigerisë.

CJTF është një milici lokale e krijuar në vitin 2013 për të luftuar kryengritjen në rajon.

UNICEF tha se më shumë se 3 500 fëmijë u rekrutuan midis 2013 dhe 2017 për të luftuar Boko Haram, terroristët që për më shumë se një dekadë kanë djegur fshatra dhe sulmuar bazat ushtarake në vend. Agjencia e OKB tha se po punon me qeverinë nigeriane dhe autoritetet lokale për të ndihmuar ri-integrimin në shoqëri të fëmijëve që janë liruar.

Skip to toolbar